Gjysmë metri është fleta më e gjatë e votimit e shtypur për Zgjedhjet Lokale që do të mbahen më 19 tetor, përcjell TV21. Për shkak të numrit të madh të fletëve për zgjedhjen e kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve dhe gjatësisë së tyre jashtë standardit, kjo ishte një nga procedurat më komplekse për shtypjen e materialit zgjedhor deri tani.
Përveç partive, në këto Zgjedhje Lokale do të ketë edhe 69 kandidatë për kryetarë komunash dhe 68 lista për këshilltarë nga iniciativa të pavarura.
Sot në mëngjes, me sigurim policor filloi shpërndarja e materialit zgjedhor nga shtypshkronja “Kiro Dandaro” në Manastir deri te të gjitha Komisionet Zgjedhore Komunale në vend. Materiali i besueshëm zgjedhor, i cili përbëhet nga të gjitha kopjet e shtypura të regjistrave të zgjedhësve, kopje të formularëve origjinalë ose procesverbale për çdo vendvotim dhe për çdo komision komunal, si dhe të gjitha fletët e votimit, po transportohet me kamionë. Shpërndarjen e kryejnë 17 ekipe të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) me sigurim nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Janë shtypur gjithsej 4.613.438 fletë votimi në nivel shtetëror, përfshirë fletët për kryetarë dhe këshilltarë në komunat. Ka 254.262 faqe të shtypura të regjistrave të zgjedhësve dhe kopjet e veçanta të regjistrave. 8.692 procesverbale si material i besueshëm për përcaktimin e rezultateve zgjedhore dhe 8.330 kopje në shkrim Braille”, deklaroi kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), Boris Kondarko.
Në këto zgjedhje do të ketë 1.832.415 zgjedhës, 3.480 vendvotime, por do të hapen vetëm 3.474, sepse në gjashtë prej tyre nuk ka regjistruar zgjedhës ose nuk ka popullsi.
“Zgjedhjet Lokale janë zgjedhjet më të mëdha dhe për këtë lloj materiali të besueshëm janë parashikuar 48 milion denarë (rreth 780.000 euro), por shuma përfundimtare do të publikohet më vonë, në varësi të numrit të vendeve ku do të ketë votim në raundin e dytë”, tha Kondarko.
Procesi i shtypjes përfundoi dy ditë më herët, para shpërndarjes materiali zgjedhor u kontrollua detajisht, u sigurua, u paketua dhe u klasifikua në mënyrë të duhur.
“Zgjedhjet Lokale janë operacioni më kompleks që kryejmë, por përvoja nga e kaluara na jep të drejtë të themi se e kemi tejkaluar sfidën me sukses. Janë më komplekse sepse përfshijnë 80 komuna, 80 lista si për kryetarë ashtu edhe për këshilltarë, dhe plus 10 lista për kryetarë dhe këshilltarë në Qytetin e Shkupit. Sfida për shtypje ishte madhësia e fletës së votimit jashtë standardit. Fleta më e gjatë ishte 500 milimetra, ato ishin më të mëdhatë dhe më të vështira për manipulim dhe punë”, tha Vangel Talevski, menaxher i përgjithshëm i shtypshkronjës “Kiro Dandaro” në Manastir.