Pak orë pas ultimatumit të Presidentit të SHBA, Donald Trump, i cili vendosi orën 6 të së dielës si afatin e fundit për Hamasin, që të pranojë marrëveshjen e paqes, organizata e armatosur palestineze u ka dorëzuar “Po” ndërmjetësuesve për planin e kreut të Shtëpisë së Bardhë.
Lajmi fillimisht u publikua nga rrjeti televiziv Al Jazeera duke cituar një burim të njohur me çështjen dhe më pas të gjitha agjencitë ndërkombëtare, transmeton A2CNN.
Pas tyre në një deklaratë zyrtare nëpërmjet Telegramit, Hamasi përshëndeti planin e Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Siç e bën të ditur, Hamasi është i gatshëm të lirojë të gjithë pengjet në këmbim të sigurimit të një armëpushimi të përhershëm dhe të vazhdojë menjëherë me negociatat mbi detajet e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.
Në të njëjtën kohë, Hamasi shpreh qëllimin për t’ia dorëzuar administrimin e Rripit të Gazës një formacioni palestinez të përbërë nga personalitete të pavarura, jo të lidhura me asnjë organizatë politike.
“Çështjet e tjera që lidhen me të ardhmen e Rripit të Gazës dhe të drejtat legjitime të popullit palestinez janë të lidhura me një qëndrim të unifikuar kombëtar dhe me ligjet dhe rezolutat përkatëse ndërkombëtare”, sqaron më tej organizata.
Siç theksohet në njoftim të gjitha sa më sipër “do të shqyrtohen brenda një kuadri gjithëpërfshirës kombëtar palestinez, në të cilin Hamasi do të marrë pjesë dhe do të kontribuojë me përgjegjësi”.
Ky raport është pjesë e qëndrimit më të gjerë të Hamasit për t’u paraqitur si i gatshëm për t’u angazhuar në dialog, por në të njëjtën kohë duke theksuar se vendimet në lidhje me të ardhmen e Gazës dhe të drejtat e palestinezëve duhet të merren kolektivisht dhe të bazuara në të drejtën ndërkombëtare.
Sipas analistëve, ky zhvillim krijon pritje për përparim në negociata që, nëse ato vazhdojnë, mund të hapin rrugën për përfundimin e luftës në Gaza.
Më herët gjatë ditës, Donald Trump i dha një ultimatum të ri Hamasit, duke e përshkruar organizatën si të pamëshirshme teksa kujtonte masakrën e 7 tetorit. (A2 Televizion)