Hapja zyrtare e korridoreve ajrore të Kosovës me Republikën e Shqipërisë është cilësuar si moment i rëndësishëm për aviacionin, efikasitet i mbrojtjes së natyrës, ulje e kohës dhe kostës së udhëtimeve.
“Përtej përfitimeve mjedisore dhe infrastrukturore, koha e shkurtuar e fluturimit sjellë benefite edhe për mërgatën tonë. Rriten mundësitë për çmime më të përballueshme të biletave, si dhe për destinacione të reja për dhe nga Aeroporti i Prishtinës ‘Adem Jashari”, ka thënë kryeministri Albin Kurti përgjatë ceremonisë.
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se tashmë ekziston edhe një mundësi tjetër për hyrje ajrore në Kosovë.
“Më parë ishte mundësia e vetme për hyrje në Kosovës nëpërmjet Maqedonisë së Veriut, tash e kemi shtuar edhe korridoret e reja e që krahas punëve që janë bërë në zgjerimin e pistës dhe avancimin e sistemeve të navigimit, personeli dhe mundësitë e Agjencioneve tona tashmë janë të shtuara”, ka thënë ai.
Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka treguar koston e udhëtimit më parë dhe lehtësimin që do të sjellë hapja e korridoreve ajrore me Shqipërinë, rtklive.
“Deri më 28 dhjetor, kompanitë ajrore që kanë ardhur në Kosovë, është dashur të fluturojnë drejt Shkupit që të aterojnë në Prishtinë. Kjo do të thoshte 25 minuta udhëtime shtesë, 540 litra kerozhinë, 200 emetime të dioksidi i karbonit”, ka thënë Rohde.