Hapësira mediatike në gjuhën shqipe pasurohet me një kanal të ri informativ e kulturor.
Bëhet fjalë për “Luaj derën”, platformë e themeluar dhe e udhëhequr nga gazetarët Xhemazije Rizvani dhe Fitim Marovci, e cila prej një jave është vënë në qarkullim.
Kanali https://youtube.com/@xhemazijerizvani?si=NWqUp56LZD6Mk6Xm synon të mbulojë temat më pak të trajtuara në median tradicionale, me theks të veçantë tek arsimi, kultura, arti dhe çështjet shoqërore që prekin jetën e përditshme.
Përmes reportazheve, kronikave nga terreni dhe intervistave,“Luaj derën” premton të bëhet një hapësirë ku publiku do të ndjehet i lirë të shprehë mendimin e tij, pa kufizime dhe pa filtra të imponuar nga logjika e interesit të ngushtë mediatik.
Në një kohë kur pjesa më e madhe e mediave vizuale anashkalojnë ngjarjet kulturore apo arsimore, duke i konsideruar “jo tërheqëse për publikun e gjerë”, ky kanal zgjedh t’i vendosë ato në qendër të vëmendjes për ata ” pak” që ende nuk e kanë humbur interesin.
Pse“Luaj derën”?
“Emri i kanalit është dhe s’ është metaforik” shpjegon gazetarja Xhemazije Rizvani
“‘Luaj derën’ ngritet mbi proverbin popullor që të gjithëve na është i njohur. Kur nuk ke punë, luan derën. Njerëzit sot shpesh klikojnë rrjetet sociale pa arsye, sikurse hapin e mbyllin një derë kot, ndonjë ditë “të luajnë” derën është e vetmja punë që bëjnë. Janë dyer më saktë, që janë duke na e diktuar jetën, mënyrën si flasim, si mendojmë, si analizojmë. Janë dyer të reja që ftojnë të hapen që ta mundin harresën, pluhurat, dhe të kapin thelbin dhe përmbajtësoren në botën e spektaklit.
Pse thash s’ është metaforë? Sepse prej te dera do fillojnë shumë emisione që do bëhen në lëvizje nëpër shumë atelie, galeri, shtëpi, institucione. ”
Sipas Rizvanit, “Luaj derën” është një përpjekje për të rikthyer vlerën e diskutimit të hapur dhe për të ruajtur kujtesën e ngjarjeve që ndodhin, duke mos i lënë ato të kalojnë në heshtje. Themeluesit shpresojnë të krijojnë një rrjet bashkëpunimesh me institucione arsimore e kulturore, festivale kombëtare e lokale, shtëpi kulture, si dhe individë që realizojnë projekte me ndikim në komunitet.
“Qëllimi ynë është që nga çdo ngjarje e vogël të mbetet diçka me vlerë, qoftë një kujtim i dokumentuar, një reflektim, apo një debat që ndihmon shoqërinë të ecë përpara”, thekson Rizvani.
Me këtë qasje, “Luaj derën” synon të krijojë një identitet të veçantë në hapësirën mediatike: një platformë ku nuk sundojnë vetëm lajmet e shpejta të ditës, por ku vend ka edhe arti, letërsia, muzika, mendimi qytetar dhe kultura në tërësi.
“Plane kemi shumë, dashuria për punën nuk na mungon mua e Fitimit. Ka shumë gjëra që po i mendojmë. Ngadalë duke luajtur derën më shpesh te ne do shikoni hap pas hapi çfarë synojmë të bëjmë me këtë kanal” – thotë ajo.
“Luaj derën” bëhet kështu një metaforë: një derë që nuk mbyllet, por që rri gjithnjë në lëvizje, në pritje për publikun të hapë, të kërkoj dhe të gjejë veten te materialet që ofrojmë. “, përfundon ajo.(INA)