Hapi historik i Shqipërisë në BE ndez alarmet: Kosova duhet të reagojë

Picture of INA
INA

20/11/2025

Më 17 nëntor, në Bruksel u zhvillua Konferenca e Shtatë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, duke shënuar një moment kyç në procesin e anëtarësimit të vendit. Gjatë kësaj konference u hapën grupkapitujt e fundit të negociatave – “Burimet, bujqësia dhe kohezioni” – të cilët konsiderohen ndër më kompleksët për shkak të reformave të thella që kërkojnë.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, e cilësoi këtë zhvillim si një arritje të rëndësishme, duke theksuar se deri pak kohë më parë mundësia për të hapur kapitujt e fundit dukej e largët:

“Vetëm pak kohë më parë, kjo ishte diçka që dukej e pamundur… Do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të ecur përpara me të njëjtin intensitet, me të njëjtën disiplinë dhe me të njëjtën punë të madhe.”

Në të njëjtën linjë, komisionarja për zgjerimin, Marta Kos, vlerësoi progresin e Shqipërisë:

“Suksesi është i Shqipërisë, rezultat i punës së autoriteteve për zbatimin e reformave të rëndësishme.”

Ajo theksoi se Komisioni Evropian mbetet i përkushtuar ta çojë procesin e integrimit të Shqipërisë deri në fund.

Shqipëria është duke ndjekur një rrugëtim që ka nisur zyrtarisht më shumë se një dekadë më parë:

2014 – merr statusin e vendit kandidat;

2022 – hap negociatat e anëtarësimit me BE-në;

2023–2025 – avancim gradual në hapjen e grupkapitujve tematikë;

2027 – synohet finalizimi i procesit teknik të shqyrtimit dhe mbylljes së kapitujve.

Pas fazës teknike, procesi kalon në një nivel tërësisht politik, ku vendet anëtare të BE-së duhet të miratojnë njëzëri anëtarësimin e Shqipërisë.

Në Bruksel mbizotëron optimizëm se Shqipëria mund ta përmbyllë të gjithë procesin deri në vitin 2030, një objektiv që Rama e ka shpallur si prioritet kryesor të mandatit të tij të katërt.

Shqipëria dhe Mali i Zi konsiderohen aktualisht vendet më të avancuara në procesin e zgjerimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në anën tjetër, disa vende, përfshirë Kosovën, mbeten mbrapa – Kosova ende nuk ka fituar statusin e vendit kandidat.

Analist e njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se progresi i Shqipërisë duhet t’i shërbejë edhe Kosovës, por ka faza që Kosova është përpara Shqipërisë.

Ata thonë se nevojitet komision i përbashkët integrimi ose Kosova të krijojë një model të ri bashkërendimi strategjik, ku politika, standardet dhe reformat të ecin paralelisht.

Shqipëria model dhe harmonizim politikash

Analisti Ilir Vata, thotë se Shqipëria tashmë ka hyrë në fazën më të vështirë, atë të përmbylljes së kapitujve që kërkon më shumë punë.

Sipas tij, harmonizimi i legjislacionit shqiptar me atë të BE-së ka nisur në disa fusha, por do të kërkojë një punë kolosale në vazhdim.

“Hapja e të gjithë kapitujve të negociatave është një hap shumë pozitiv dhe tregon se Shqipëria ka bërë progres real drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Megjithatë, ky është vetëm fillimi i një “beteje” të re, që lidhet me përmbushjen e reformave të thella dhe standardeve të BE-së. Shqipëria tashmë ka hyrë në fazën më të vështirë: përmbyllja e kapitujve kërkon më shumë punë, më shumë përgjegjësi dhe angazhim të vazhdueshëm të qeverisë në përputhje me standardet evropiane. Harmonizimi i legjislacionit shqiptar me atë të BE-së ka nisur në disa fusha, por do të kërkojë një punë kolosale në vazhdim. Në aspektin e drejtësisë janë shënuar hapa të mëdhenj, veçanërisht me krijimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila ka dhënë rezultate të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, falë edhe mbështetjes së BE-së dhe SHBA-së. Por ky është vetëm fillimi: korrupsioni mbetet ende në nivele alarmante dhe sfidat në drejtësi vazhdojnë. Shqipërisë i nevojitet rritje ekonomike më e fortë, rritje e pensioneve, përmirësim i infrastrukturës, garantim i institucioneve të pavarura, forcim i mediave, decentralizim i pushtetit vendor, reformë territoriale e zgjedhore dhe krijimi i një klime politike më demokratike. Në këtë këndvështrim, Shqipëria sapo ka hyrë “në det me këmbë”, dhe do t’i duhen shumë punë – dhe mbase shumë vite – për të arritur standardet e plotë të anëtarësimit”, deklaron Vata.

Ai thotë progresi i Shqipërisë duhet të shërbejë si model jo vetëm për Kosovën por gjithë rajonin.

Sipas tij, anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të kishte efekte pozitive edhe për Kosovën.

“Po, progresi i Shqipërisë duhet të shërbejë si model jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin. Në mënyrë të veçantë, Shqipëria dhe Kosova mund të përfitojnë shumë nga krijimi i një komisioni të përbashkët integrimi, që do të hartonte strategji, do të shkëmbenin përvoja dhe do të forconin bashkëpunimin institucional në këtë proces. Megjithatë, marrëdhëniet e ftohura politike të viteve të fundit mes dy qeverive kanë qenë një gabim i madh për të dy vendet, sepse ngadalësojnë progresin e përbashkët drejt integrimit evropian. Anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të kishte efekte pozitive edhe për Kosovën, por BE-ja ka qenë shpesh e rezervuar, skeptike dhe e pavendosur për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor. Integrimi i rajonit duhej të ishte trajtuar në paketë, sepse asimetritë e mëdha – ku një vend ecën shumë përpara dhe një tjetër ngec – mund të sjellin pasoja politike, ekonomike dhe strategjike”, shprehet analisti.

Ai kërkon që Shqipëria dhe Kosovë të harmonizojnë politikat e tyre në fushën e sigurisë.

Sipas tij, duhet themeluar një komisioni i përbashkët integrimi, ku Shqipëria të shërbejë si mbështetje, përvojë dhe model.

“Shqipëria dhe Kosova duhet të harmonizojnë politikat e tyre në fushën e sigurisë, zhvillimit dhe integrimit evropian. Kjo qasje strategjike ka munguar dhe, për fat të keq, ka dobësuar pozicionin e të dy vendeve në arenën rajonale dhe ndërkombëtare. Përmbyllja e grupkapitujve nga Shqipëria është inkurajuese për rajonin dhe e motivon vendin që të punojë edhe më shumë për të arritur standardet e BE-së. Afatet indikative 2027–2030 duhen parë si orientime pozitive që synojnë të nxisin vendet aspirante të përshpejtojnë reformat. Kosova duhet të thellojë bashkëpunimin me Shqipërinë duke shkuar drejt krijimit të një komisioni të përbashkët integrimi, ku Shqipëria të shërbejë si mbështetje, përvojë dhe model. Megjithatë, duhet theksuar se BE duhej të kishte një qasje më të hapur për rajonin, sidomos në një kohë kur në Evropë ka konflikte dhe tensione gjeopolitike. Ballkani mbetet potencialisht një pikë e brishtë, prandaj integrimi i tij në BE duhet të ishte prioritet strategjik. Gjithashtu, Serbia vazhdon të jetë penguese kryesore e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, duke mbajtur të bllokuar shumë procese politike dhe rajonale”, përfundon Vata.

Shqipëria strategjike, momentumi i Kosovës

Hapja e të gjithë kapitujve të negociatave nga Shqipëria me Bashkimin Evropianë është moment me peshë të madhe politike dhe simbolike për rajonin, kështu e vlerëson doktori për marrëdhënie ndërkombëtare, Mirsad Voca.

Voca thotë se ky progres krijon një moment të ri edhe për Kosovën.

Ai përmend fushat teknike të reformave, që sipas tij, Kosova është më përpara se Shqipëria.

“Hapja e të gjithë kapitujve të negociatave nga Shqipëria me Bashkimin Evropian është një moment me peshë të madhe politike dhe simbolike për rajonin. Ky zhvillim dëshmon se rajoni ynë, me të gjitha vështirësitë dhe pengesat historike, po lëviz ne drejtimin e duhur dhe po afrohet me arkitekturën evropiane të vlerave, standardeve dhe përgjegjësive. Shqipëria, me këtë hap, dërgon një mesazh të fuqishëm: integrimi evropian nuk është më një aspiratë abstrakte, por një proces konkret, i matshëm dhe i kthyeshëm në rezultate.

Ky progres krijon një moment të ri edhe për Kosovën. Nëse shikojmë vetëm fushat teknike të reformave, Kosova në shumë segmente është realisht më përpara se Shqipëria: në digjitalizim, menaxhim fiskal, transparencë buxhetore, shërbime publike dhe një sërë ligjesh të harmonizuara prej vitesh me acquis communautaire. Megjithatë, integrimi evropian nuk është vetëm një proces teknik. Ai është po aq politik dhe gjeostrategjik. Vendimmarrja e Brukselit, në shumë raste, ndikohet nga marrëdhëniet bilaterale të shteteve anëtare, nga konsensusi i munguar mbi shtetësinë e Kosovës, nga dinamika e dialogut me Serbinë dhe nga interesat më të gjera të stabilitetit në Evropën Juglindore. Prandaj, fakti që Shqipëria ka avancuar më shpejt nuk duhet lexuar si diferencë reformash, por si reflektim i një realiteti politik brenda BE-së ku zgjerimi lidhet ngushtë me kalkulime strategjike”, deklaron Voca.

Ai kërkon që Shqipëria dhe Kosovë mund të krijojnë një model të ri bashkërendimi strategjik, gjersa progresin e Shqipërisë e konsideron si presion pozitiv mbi institucionet e Kosovës.

“Megjithatë, ky zhvillim hap një dritare të rëndësishme mundësish për të dy vendet. Për herë të parë, Shqipëria dhe Kosova mund të krijojnë një model të ri bashkërendimi strategjik, ku politikat, standardet dhe reformat të ecin paralelisht, duke i paraprirë procesit të integrimit. Harmonizimi i politikave publike, qasja e sinkronizuar ndaj sundimit të ligjit, energjisë, sigurisë, tregtisë dhe ekonomisë digjitale mund të krijojë një kornizë që i ngjan bashkëpunimit të thelluar institucional e që mund te konsiderohet një formë “bashkimi funksional” që i afron të dy vendet në nivele të reja të koordinimit, pa hyrë në narrativa emocionale apo simbolike. Ky qasje do të forconte peshën e të dy shteteve në Bruksel dhe do të rrite mundësinë për një lobim të përbashkët, racional dhe të qëndrueshëm.

Nga ana tjetër, progresi i Shqipërisë rrit presionin pozitiv mbi institucionet e Kosovës. Jo presion rivalizues, por nxitës. Ky moment duhet përdorur nga Kosova për të përshpejtuar hapat në sundimin e ligjit, fqinjësi të mirë, stabilitet institucional dhe reforma te thella strukturore. Nëse Kosova e kthen këtë moment në një pikë të re nisjeje, jo në një hendek integrues, atëherë rajoni mund të ecë përpara si një mozaik i bashkërenduar dhe jo si një hartë me ritme të pabarabarta”, pohon Voca.

Ai shton se Shqipëria ka bërë hapin e vet strategjik, dhe është momenti që Kosova ta shfrytëzojë këtë momentum.

“Integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor, sot më shumë se kurrë, është një proces ku reforma dhe gjeopolitika ecin krah për krah. Shqipëria ka bërë hapin e vet strategjik. Tani është momenti që Kosova ta shfrytëzojë këtë momentum dhe, përmes përputhjes së politikave dhe forcimit të kapaciteteve institucionale, të ndërtojë një rrugë të qëndrueshme europiane, të sinkronizuar dhe me vizion afatgjatë”, përfundon doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare.

TË FUNDIT

Mickoski shpërthen ndaj gjyqësorit: “Pak i kanë 3000 euro, kërkojnë 5000 – ndërsa vendi lufton për mbijetesë”

Lënda “Onkologjia 2” nis nga fillimi, për shkak të ndërrimit të një anëtari të trupit gjykues

15 dhe 16 vjeçari kapen me marihuanë në rrugën Tetovë – Shkup

Del traileri i parë i filmit të Luizit dhe Kiarës, ja kur do jetë në kinema!

Revizioni zbuloi shkelje të procedurave, keqmenaxhim dhe vendime të paligjshme në Agjencinë e Filmit të RMV-së

Rikonstruimi i Qeverisë, Mickoski: Javën tjetër do dihen emrat!

ME TE LEXUARA

1
Mickoski shpërthen ndaj gjyqësorit: “Pak i kanë 3000 euro, kërkojnë 5000 – ndërsa vendi lufton për mbijetesë”
1
Lënda “Onkologjia 2” nis nga fillimi, për shkak të ndërrimit të një anëtari të trupit gjykues
1
15 dhe 16 vjeçari kapen me marihuanë në rrugën Tetovë – Shkup
1
Del traileri i parë i filmit të Luizit dhe Kiarës, ja kur do jetë në kinema!
1
Revizioni zbuloi shkelje të procedurave, keqmenaxhim dhe vendime të paligjshme në Agjencinë e Filmit të RMV-së

LEXO MË SHUMË

Mickoski shpërthen ndaj gjyqësorit: “Pak i kanë 3000 euro, kërkojnë 5000 – ndërsa vendi lufton për mbijetesë”

Lënda “Onkologjia 2” nis nga fillimi, për shkak të ndërrimit të një anëtari të trupit gjykues

15 dhe 16 vjeçari kapen me marihuanë në rrugën Tetovë – Shkup

Del traileri i parë i filmit të Luizit dhe Kiarës, ja kur do jetë në kinema!

Revizioni zbuloi shkelje të procedurave, keqmenaxhim dhe vendime të paligjshme në Agjencinë e Filmit të RMV-së

Rikonstruimi i Qeverisë, Mickoski: Javën tjetër do dihen emrat!