James Rubin po dëshmon në Hagë, tregon kur është takuar herën e fundit me Hashim Thaçin

Picture of INA
INA

15/09/2025

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po dëgjohet dëshmia e James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit. Dëshmia e tij është në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai në gjykatore është i shoqëruar nga dy përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ka treguar para trupit gjykues se gjatë periudhës 1997-2000 ka shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit për çështjet publike dhe si zëdhënësi kryesor që ka raportuar drejtpërsëdrejti përpara sekretares së shtetit, Madeleine Albright. Gjatë angazhimit për konferencën e Rambujesë, Rubin ka thënë se është takuar disa herë me Thaçin, për të cilin tha se “ishte i shqetësuar që nuk do ta kishte autoritetin ose lejen e plotë për ta nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë”.

Gjatë dëshmisë së tij, Rubin është i shoqëruar nga dy përfaqësuese të Shtete të Bashkuara të Amerikës.

Për dëshminë e tij janë paraparë katër orë nga mbrojtja, katër nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, dhe tri orë e gjysmë nga të tjerët.

Në fillim të dëgjimit të dëshmitarit, avokati i Thaçit, Luka Misetiç tha Rubin i kishte raportuar sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.

“Nga viti 1997 deri në vitin 2000, James Rubin ka shërbyer si ndihmësekretar i Shtetit për çështjet publike dhe si zëdhënësi kryesor që ka raportuar drejtpërsëdrejtri përpara sekretares së shtetit Madeleine Albright. Kur Grupi i Kontaktit vendosi që të mblidhej për një proces paqeje në janar të vitit 1999, zotëri Rubin është udhëzuar drejtpërsëdrejti nga zonja Albright për t’u angazhuar me delegacionin shqiptar të Kosovës gjatë konferencës së Rambujesë në Kosovë dhe më pas iu bashkua negociatave si i dërguari i posaçëm në emër të sekretares së shtetit për të siguruar de-mobilizimin e UÇK-së. Në këtë kuadër, zotëri Rubin ka pasur takime të shumta me Hashim Thaçin dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së, kjo lejoi zotëri Rubin që të kuptonte se zotëri Thaçi ishte shqetësuar që nuk do të kishte autoritetin ose lejen e plotë për të nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë në emër të UÇK-së, pa miratimin e anës ushtarake ose të aspektit ushtarak të UÇK-së”, deklaroi ai.

Tutje, mbrojtja tha se gjatë negociatave që çuan në nënshkrimin e marrëveshjes, Rubin “vërejti që roli i Thaçit ishte i kufizuar sepse ai nuk ishte i angazhuar në bisedat teknike”.

“Zotëri Rubin vërejti që roli i zotëri Thaçit ishte i kufizuar sepse ai nuk ishte i angazhuar në bisedat teknike, ai gjithashtu vërejti që zotëri Thaçi i ka shprehur atij personalisht që prej fillimit që ai dëshironte të kishte dhe të sigurojë në të ardhmen një Kosovë demokratike, e lirë, pa dhunë ndëretnike që funksiononte nën vlera demokratike të perëndimit deri në masën e mundur”, shtoi ai.

Dëshmitari i parë i mbrojtjes, James Rubin tha se ka punuar për senatorin amerikan Joseph Biden nga viti 1989 deri në vitin 1993. Gjatë kësaj periudhe, ai tha se ishte takuar edhe me udhëheqës të Kosovës, përfshirë presidentin Ibrahim Rugova.

Misetiç: A keni pasur mundësi që gjatë këtyre udhëtimeve tuaja të jeni takuar me udhëheqës të Kosovës?

Rubin: Po. Gjatë luftërave në atë kohë, fillimisht në Kroaci dhe Serbi dhe pastaj në Bosnje këto kanë qenë fokuset e këtyre udhëtimeve, do të thotë vendet përkatëse, megjithatë duke qenë të vetëdijshëm për faktin që konflikte të tilla mund të shtriheshin më tej, ne e kuptuam që ajo çfarë po ndodhte në Kosovë ishte po ashtu shumë e rëndësishme. Kështu që kam përshtypjen që e kam vizituar Prishtinën në atë kohë, dy ose tri herë. Gjatë asaj kohe jam takuar të paktën një ose dy herë me Ibrahim Rugovën, jam takuar gjithashtu edhe me shqiptarë të tjerë të Kosovës, me persona të tjerë me influencë në Kosovë në atë kohë”, kanë thënë ata.

Në pyetjet e avokatit të ish-presidentit, Hashim Thaçi, dëshmitari Rubin ka treguar nëse ka qenë i përfshirë në themelimin e Tribunalit Penal Ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara.

Misetiç: A keni pasur përfshirje ju në krijimin, ose themelimin e TPJN-së, për Tribunalin Penal Ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara kundër Jugosllavisë të vitit 1993?

Rubin: Po. Madeleine Albright, ish-ambasador të Shteteve të Bashkuara dhe së bashku me Kombet e Bashkuara dhe një prej këshilltarëve, David Chefer, ajo ka qenë një avokate shumë e fuqishme për krijimin e atij tribunali. Unë personalisht kam punuar shumë ngushtë, kam punuar ngushtë edhe me David. Madeleine Albright ishte shumë krenare dhe unë për rrjedhojë isha shumë krenarë që kam dhënë ndihmën time modeste për krijimin e këtij Tribunali të parë të këtij lloji për ish-Jugosllavi. Besoj që u desh ca kohë derisa të krijohet institucioni i tribunalit, kemi ardhur këtu në 1993 apo 1994 nuk më kujtohet mirë viti se cili ka qenë, megjithatë më kujtohet se e thërrisnim ne atë nënën e tribunalit”, shtoi ai.

James Rubin, i cili është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit, tregoi se kur kishte qenë hera e fundit që është takuar me ish-presidentin.

“Kishte kaluar nga një djalë i ri që punonte në rrethana të vështira dhe tani befasisht ishte bërë kryeministër. Pra, kishin kaluar disa vite, katër-pesë vjet nëse më kujtohet mirë. Dhe kjo ka ndodhur në një restaurant në Nju Jork, hera e parë. Besoj që hera e fundit duhet të kenë qenë rreth vitit 2018 kur po punoja në Uashington dhe ai në atë kohë ishte president i Kosovës.

Misetiç: Pse u takuat këtë herë?

Rubin: Unë u largova nga Londra në vitin 2018, ndoshta jam takuar me të në vititn 2019 në fakt. Pra, në vitin 2018 u ktheva në Uashington për të punuar për një firmë të njohur lobimi dhe kur u ktheva atje kisha një kontratë me Qeverinë e Kosovës përpara që të mbërrija atje. Kur partnerët kuptuan që unë njihja shumë mirë menduan që kjo kishte kuptim që unë punoja me të lidhur me këtë kontratë. Kjo kontratë kishte të bënte me përfaqësimin që t’i bëja unë atij në përpjekje për të bërë paqe me Serbinë. Kemi punuar shumë bashkë gjatë asaj periudhe në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të sjellur një paqe përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe unë isha shumë i gëzuar që ta shoh atë”, shtoi Rubin gjatë dëshmisë së tij në Hagë.

James Rubin, është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit, e cila ka paraparë që në gjykatore t’i sjell rreth 11 dëshmitarë.

Më pas, procesi gjyqësor do të vazhdojë me dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Bashkë me Thaçin dhe Krasniqin, po gjykohen edhe ish-kryekuvendari Kadri Veseli dhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Avokatët e tyre nuk synojnë të paraqesin dëshmi mbrojtëse. Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon ata me krime të pretenduara të luftës. ZPS-ja ka thënë se ata ishin pjesë e “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

Në anën tjetër, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Paraqitja e provave të mbrojtjes vjen katër muaj pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar përfundoi me dëshmitarët e saj dhe e mbylli çështjen. Prokuroria i pati sjell 125 dëshmitarë në sallë dhe është mbështetur në mbi 130 dëshmi ne shkrim.

Mbrojtja e katërshes së UÇK-së i mohon akuzat dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese.

Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ishte bërë publike vjeshtën e vitit 2020. Prej atëherë, ata qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023.

Gjyqtarët në Speciale presin që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të paraqesë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.

TË FUNDIT

Muharrem Salihu-nga dëshmitar i pasivizimit tek vizionar i zhvillimit në Luginën e Preshevës

“Llaskarca”/ Familjarët protestojnë pas kronikës së Alsat

Me 20 milionë euro do të rindërtohet Salla Universale në Shkup! Do të ketë 1,200 ulëse, për përdorim do të lëshohet në vitin 2028

Lokalet/ Rekord kandidatësh për kryetar të komunave dhe këshillave komunalë

Sela: Diaspora strugane në Austri mobilizohet për ta mbështetur kandidaturën e Arsim Dalipit

Mexhiti: Do të ndërtojmë shkollë për fëmijët me nevoja të posaçme!

ME TE LEXUARA

1
Muharrem Salihu-nga dëshmitar i pasivizimit tek vizionar i zhvillimit në Luginën e Preshevës
1
“Llaskarca”/ Familjarët protestojnë pas kronikës së Alsat
1
Me 20 milionë euro do të rindërtohet Salla Universale në Shkup! Do të ketë 1,200 ulëse, për përdorim do të lëshohet në vitin 2028
1
Lokalet/ Rekord kandidatësh për kryetar të komunave dhe këshillave komunalë
1
Sela: Diaspora strugane në Austri mobilizohet për ta mbështetur kandidaturën e Arsim Dalipit

LEXO MË SHUMË

Muharrem Salihu-nga dëshmitar i pasivizimit tek vizionar i zhvillimit në Luginën e Preshevës

“Llaskarca”/ Familjarët protestojnë pas kronikës së Alsat

Me 20 milionë euro do të rindërtohet Salla Universale në Shkup! Do të ketë 1,200 ulëse, për përdorim do të lëshohet në vitin 2028

Lokalet/ Rekord kandidatësh për kryetar të komunave dhe këshillave komunalë

Sela: Diaspora strugane në Austri mobilizohet për ta mbështetur kandidaturën e Arsim Dalipit

Mexhiti: Do të ndërtojmë shkollë për fëmijët me nevoja të posaçme!