Futbolli evropian i thotë lamtumirë një mbrojtësi që dikur qëndronte mes më të mirëve, por karriera e të cilit u përcaktua edhe nga vështirësitë që sollën dëmtimet.
Samuel Umtiti, i kujtuar për kohën e tij te Lyoni dhe Barcelona dhe si fitues i Kupës së Botës me Francën, habiti tifozët të hënën duke njoftuar tërheqjen nga futbolli në moshën vetëm 31 vjeçare.
Mbrojtësi francez e bëri publik vendimin e tij në rrjetet sociale për t’u larguar nga futbolli profesionist.
“Pas një karriere intensive, të mbushur me ngritje e ulje, ka ardhur koha të them lamtumirë… Kam dhënë GJITHÇKA me pasion dhe nuk pendohem për ASNJË GJË. Dua t’i falënderoj të gjitha klubet, presidentët, trajnerët dhe lojtarët me të cilët jam ndeshur në rrugën time,” shkroi Umtiti në Instagram.
Me “Les Bleus”, Umtiti numëron 31 ndeshje dhe shënoi katër gola. Momenti i tij më ikonik erdhi në Kupën e Botës 2018 në Rusi, ku ai formoi një partneritet të fuqishëm në qendër të mbrojtjes me Raphaël Varane. Në gjysmëfinalen kundër Belgjikës, ai shënoi me kokë golin vendimtar që e çoi Francën në finale , një gol i gdhendur në historinë e futbollit francez.