Kandidatët për kryetar të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami nga koalicioni VLEN dhe Bajram Rexhepi nga Aleanca Kombëtare për Integrim vazhdojnë fushatën parzgjedhore duke shpalosur premtimet e tyre nëse e marrin mbështetjen e qytetarëve për të udhëhequr me njërën nga Komunat me numër të madh të votuesve shqiptarë. Kasami gjatë ditës së hënë ka qëndruar në stadiumin e qytetit të Tetovës, i cili është në ndërtim e sipër, ndërsa premtoi se i njëjti do të jetë një stadium modern.
“Me investimin e paraparë për ndërtimin e të njëjtit nga themeli së shpejti, stadiumi i qytetit do të jetë një shtëpi moderne e futbollit evropian. Gjithashtu, do të ndërtohet një qendër e mirëfilltë sportive me dy terrene për futboll të madh, një me barë natyral dhe një barë artificial, me tribuna moderne për tifozët si dhe një terren sportiv multifunksional për të rinjtë. Pjesë e rëndesishme e këtij projekti është edhe ndërtimi i një objekti ndihmës për ekipet e futbollit tetovar, i cili do t’i plotësojë të gjitha standardet e kërkuara nga FFM. Në kuadër të këtij projekti është paraparë edhe ndërtimi i stadiumit për futboll të madh në fshatin Saraqinë. Jam këtu për të parë nga afër rrjedhën e punimeve për ndërtimin e tribunës së re përballë tribunës kryesore. Sipas asaj që shihet në terren, po punohet intensivisht për një stadium sipas standardeve evropiane. Së shpejti, do të fillojnë punimet për ndërtimin e tribunës së dytë, që gjendet pas golit, në anën e majtë të tribunës krysore”, deklaroi Kasami.
Në ndërkohë, një ditë më parë, Bajram Rexhepi nga Aleanca Kombëtare për Integrim premtoi zhvillimin e Qendrës turistike Kodra e Diellit. Ai premtoi se do të ndërtohen 20 hotele të reja, ndërsa për përmirësimin e infrastrukturës tha planifikohet të bëhet me partneritet publiko-privat. Përveç kësaj, Rexhepi tha se do të ndërtohet edhe teleferik dhe garazhet me kate. “Plani është që të ndërtohen edhe së paku dy hyrje të reja në Kodrën e Diellit. Sigurisht që edhe pjesa e infrastrukturës është planifikuar, ku do të ndërtohet një pishinë e madhe për prodhimin e borës artificiale, do të ndërtohen shtigjet e reja të skijimit. Plani tjetër është që edhe infrastruktura në qytet të organizohet si duhet, të krijohen kushte që turistët të kenë mundësi shumë më të lehta të vijnë deri në Kodër të Diellit”, tha Bajram Rexhepi.
Të dy kandidatët kanë bërë premtime të mëdha nëse marrin mandatin nga qytetarët për të udhëhequr me Komunën e Tetovës. Kryesisht, premtimet janë në sferën e infrastrukturës, urbanizmit, arsimit, ekologjisë dhe zhvillimit ekonomik. (koha.mk)