Kandidati i VLEN-it për kryetar të komunës së Tetovës, Bilall Kasami, fushatën për raundin e dytë e nisi me të rinjtë në sheshin e qytetit. U zotua se do të vazhdojnë me projektet për zhvillimin e Tetovës.
“Një kampanjë që ne besojmë se do të jetë për të konfirmuar fitoren bindëse të raundit të parë. Ne besojmë se edhe ata pak qytetarë që nuk arritëm t’i bindim se opsioni ynë është më i mirë, tani do të jetë më lehtë, sepse shumica dërmuese e tetovarëve vendosën që në raundin e parë që ne të vazhdojmë edhe katër vite për të shërbyer në Tetovë, për të vazhduar realizimin e projekteve në të mirë të Tetovës”, tha Bilall Kasami – Kryetar i Komunës Së Tetovës.
Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, pjesë e AKI-së, mbrëmë mblodhi në Tetovë kryesinë qendrore bashkë me kryetarët e degëve për të analizuar rezultatin e zgjedhjeve. Dyshojnë se në dy komunat ku fitonin bindshëm kandidatët e ASH-së ka pasur bojkot të organizuar.
“Realisht aty kemi dyshime se ka pasur një organizim të partive të pushtetit, por edhe nëse e merrni numrin e votave, listat nuk janë të pastruara në krahasim me listat paraprake. Kemi një pjesë të madhe që është në mërgatë. Kështu që në Gostivar, nëse nuk gaboj, për 21 vota nuk arriti censusi. Por përsëri do të ndalem te dallimi: është shumë i madh mes kandidatëve të ASH-së dhe të tjerëve, qoftë të VLEN-it, qoftë të pavarurve. Kjo tregon se koalicioni funksionon, dhe tani mund të detektojmë disa nga problematikat për ta arritur atë target prej një rezultati 2 me 1, siç i kishim edhe në anketat”, u shpreh Blerand Ramadani – Zëdhënës i ASh-së (AKI)
Në katër komuna në Maqedoni nuk është arritur censusi prej 33.33%, ku edhe do të ketë zgjedhje të reja. Sipas ligjit, të njëjtat duhet të mbahen brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e shpalljes së rezultateve përfundimtare.