Kosova luan sot për vendin e dytë në grup, ku në Goteborg, në orën 20:45, do të përballet me Suedinë. Trajneri i Kombëtares, Franko Foda, është plotësisht i vetëdijshëm për nivelin e lartë dhe stilin agresiv të lojës së suedezëve, ndërsa konfirmoi se “Dardanët” do të vazhdojnë të ndjekin strategjinë e kundërsulmeve.
Muajin e kaluar, Kosova mahniti të gjithë me fitoren 2-0 ndaj Suedisë në “Fadil Vokrri”, dhe trajneri Foda shpreson ta përsërisë suksesin edhe sonte, ndonëse e pranon se sfida në transfertë do të jetë shumë më e vështirë. “Suedia është një kundërshtar që luan futboll shumë direkt. Ka shumë cilësi në sulm, me emra si Isak, Gyokeres dhe Elanga.
Jemi të vetëdijshëm që na pret një ndeshje e vështirë, me presion të lartë, por pavarësisht kësaj, do të mundohemi të qëndrojmë të fortë dhe të organizuar”, deklaroi Foda në konferencën për shtyp. Trajneri gjerman shtoi se çelësi i suksesit në ndeshjen e kaluar ishte organizimi në mbrojtje dhe shfrytëzimi i hapësirave për kundërsulm.
“Suedia bën presion të lartë dhe ngjitet shumë në fushë. Duhet të luajmë ngushtë në fazën defansive, sepse kjo ishte arsyeja pse fituam herën e kaluar. Kështu duhet të luajmë edhe nesër, por gjithashtu duhet të përpiqemi të bëjmë më shumë presion dhe të rrisim intensitetin në fazën sulmuese,” u shpreh ai. Foda nuk u ankua për mungesat në skuadër, duke theksuar se ekipi ka zëvendësues me kualitet.
”Jemi në një grup shumë të fortë, ku të tre skuadrat po luftojnë për vendin e dytë. Fatkeqësisht kemi disa mungesa si Rexhbecaj (i lënduar) dhe Aliti (për shkak kartoni), por kemi lojtarë të tjerë cilësorë që mund t’i zëvendësojnë. Duhet të shikojmë përpara,” tha ai.
Në fund, tekniku i Kosovës e vlerësoi Suedinë si një ekip të konsoliduar dhe të rrezikshëm në çdo repart. “Stili i lojës së tyre është i qartë: futboll agresiv dhe i drejtpërdrejtë. Kërkojnë të arrijnë te goli përmes dy sulmuesve kryesorë. I kam parë në ndeshjet e fundit dhe gjithmonë kanë kërkuar të luajnë në këtë mënyrë. Pres që të ndodhë e njëjta gjë edhe sot,” përfundoi Foda.