Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur kongresistin amerikan nga radhët e Partisë Demokratike, George Latimer, në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në New York.
Siç njofton Kryeministria, gjatë takimit, u diskutua për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, si dhe për marrëdhëniet e partneritetin mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kurti e njoftoi kongresistin Latimer për progresin e arritur në fushën ekonomike, për rezultatet në luftimin e korrupsionit dhe përmirësimin e sundimit të ligjit, të cilat janë reflektuar edhe në raportet ndërkombëtare.
Ai gjithashtu e falënderoi për rolin historik e aktiv të SHBA-së në Kosovë, për kontributin në siguri e paqe në rajon dhe për mbështetjen e pandërprerë dypartiake ndaj shtetit të Kosovës.
Palët u pajtuan që të thellojnë bashkëpunimin për promovimin e vlerave dhe interesave të përbashkëta, përfshirë investimet në infrastrukturë dhe zhvillimin ekonomik.
Në këtë drejtim, u theksua edhe vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për të hequr tarifën ndaj produkteve me origjinë nga SHBA-ja.