Kryetari i Komunës së Likovës, njëherësh kandidat i koalicionit Aleanca për Komunat Integruese (AKI), Erkan Arifi, ka reaguar pas sulmit të armatosur ndaj kandidatit dhe bartësit të listës në komunën e Likovës, Dr. Zekirija Shaini, i cili u qëllua nga persona të maskuar para ndërtesës së Komunës së Kumanovës.
“Jemi të shqetësuar nga sulmi i armatosur ndaj kandidatit tonë dhe bartësit të listës në komunën e Likovës, i cili u qëllua nga persona me maska dhe u plagos. Fatmirësisht, jeta e tij është jashtë rrezikut dhe ai po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor,” thuhet në reagimin e Arifit.
Ai e ka cilësuar ngjarjen si “akt barbar dhune”, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të atentatit.
“U bëjmë thirrje të gjithë mbështetësve tanë, simpatizantëve dhe qytetarëve që të ruajnë qetësinë, të mos bien pre e provokimeve dhe të tregojnë maturinë që gjithmonë e ka karakterizuar lëvizjen tonë,” shton më tej Arifi.
Në shenjë solidariteti me të plagosurin dhe për të theksuar seriozitetin e ngjarjes, koalicioni AKI ka vendosur të pezullojë aktivitetet e ditës së sotme, duke kërkuar nga institucionet shtetërore hapa konkretë për rikthimin e sigurisë dhe besimit publik.(INA)