Shkruan: Kimete Berisha
(Një qytet që ndriçon vetëm kur s’ka kryetar)
Përparim Rama
– Njëzet e gjashtë vjet më parë, kur e bleva banesën, kishte ndriçim publik.
Në epokën e Përparimit, Bregu i Diellit u shndërrua në Natë pa Hënë e pa Yje.
– Neve na la në terr, por vetë shkonte nëpër takime i ndriçuar nga gota e rakisë.
Gazetarëve u thotë “zemra” e “loçka”. Ndërsa zyrën e bashkëshortes e ngriti në komunë, sepse… pse jo…edhe dashuria ka nevojë për buxhet publik.
– Dhe pastaj, për t’i dhënë qytetit një “pikë drite”, hapi një gropë përballë Katedrales “Nëna Terezë”.
Filloi punimet pa leje, pa plan, pa turp.
– Kraterin e tij ndoshta as inxhinierët e NASA-s s’e kuptojnë pse ekziston,
por e kupton feja:
para xhamisë së Devollëve nuk hapet gropë…vetëm zemër.
– E mbrojti me mish e me shpirt kishën ilegale të Millosheviçit në oborrin e Universitetit, dhe e quajti “objekt të trashëgimisë”….ndërsa vetë, si pushtuesi serb, harroi të kërkonte leje për ndërtimet e veta.
– Performanca e tij është ekspozitë gropash.
“Prishtina e përjetimeve” e tij përjetohet, kryesisht, me këmbë të thyer.
– Ka zbuluar formulën e re të urbanizmit:
nëse flokët i mban pak të gjata e të lagura, shqipton “r” si “rr” dhe pi raki në çarshi….atëherë quhesh arkitekt i shpirtit, edhe pse qytetarët ecin nëpër baltë.
– Mashtrimi është projekti i tij publik.
Premtoi se do ta lidhte me ngrohtoren lagjen time, por s’e lidhi.
E lidhi, por i ktheu gypat…i drejtoi kah pallatet e tregtarëve e oligarkëve të Rojal-it.
– Përparim Rama është njëfarë Kazanove komunale:
në vend të dashurive, ka lidhje biznesi; në vend të ideve, ka tenderë.
– Në raportin e Auditorit të Shtetit, ka madje më shumë “gabime artistike” se në një ekspozitë kubiste.
Tenderë pa procedura.
Kontrata pa logjikë.
Firma që ringjallen si feniks pas çdo skandali.
– Në fakt, ai ka sjellë vetëm faturat e Devollëve dhe gropat e qytetit.
– Sa për mua…
Përparim Rama nuk e ka vendin në Londër, siç i tha kryeministri për një biletë njëkahëshe.
Ai duhet të përgjigjet pse na la në terr, pse e lyu qytetin me baltë, pse e mbuloi Prishtinën me mbeturina.
– Qentë endacakë i përdori si ‘ushtarë komunalë’, që kafshojnë gjithkë që ec vetëm në kryeqytet…dhe për ironi, qendra e tyre prapë është oborri i Universitetit.
⸻
Uran Ismaili
– Për të mos mbetur pas në garën për absurditet, kundërkandidati tjetër, Uran Ismaili, i ndërpret takimet për t’u falur.
I urren katundarët, por i do “vëllezërit e motrat” që Zoti i krijoi në katund.
– Në kafeterinë e tij u vranë dy veta. Gojëdhëna thonë se ishin “katundarë”.
– Urani falet, sepse kujton se Zoti e falë edhe për urrejtjen ndaj krijesave të Tij.
Por nuk mjafton të të falë Zoti…duhet të të falë viktima.
E me viktimën, ndoshta mund të takohesh vetëm në ahiret.
– Për të dëshmuar se nuk i urren më katundarët, ka ndryshuar madje dhe ngjyrën e zërit: tani flet si ‘katundar i penduar’.
– Në çdo fushatë, ai bërtet me mikrofon si imam:
“Vëllezër e motra, Prishtina ka nevojë për mua!”
Është hera e dytë që përpiqet të bëhet kryetar i katundarëve.
– Në partinë e tij, femrat mbulojnë çdo “cullak” që del në fushatë…jo cullakun me ide, por me shall.
– Partia Demokratike është bërë sërish parti myslimane, si pas luftës, kur agjëronin kolektivisht… se e kërkonte moda.
– E për ironi, Hajrulla Çekun e quajnë “arab”.
– Dhe ja paradoksi:
në Prizren, partia e Uranit kërkon votat e turqve,
ndërkohë që shqiptarin e Prizrenit në Prishtinë e përqeshin…se ‘turk’.
⸻
Hajrulla Çeku
– Në këtë mes absurd, qëndron i qetë Hajrulla Çeku, “turku” nga Prizreni.
Por Hajra është shqiptar, thjesht me mbiemër që na kujton prejardhjen që duam ta harrojmë.
– Mediat nuk kanë argument tjetër kundër tij, përveç “Turk është!”
– Po frikësohen nga një mbiemër, ndërkohë që jetojmë në një qytet që s’i dihet etimologjia.
– Harrojnë se gjithçka që ka vlerë në këtë vend:
xhamitë, hamamet, urat, fontanat, çezmet, madje edhe vetë qytetet janë trashëgimi e pushtuesve që i tallin.
– Pa ta, shqiptarët s’do të kishin as trashëgimi për të ruajtur, as hije, as ujë, as burek me mish.
– Hajra është për mua “Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi”.
E kam takuar në parkingun e Ministrisë çdo ditë, pas secilit shkrim timin kundër qeverisë Kurti…dhe asnjëherë nuk më ka shikuar shtrembër.
Më quan shkrimtare.
– Zemërimi im me qeverinë Kurti ishte i thjeshtë:
s’e kuptoja si punon njeriu me “armiq”.
Por Hajra di të punojë edhe me kundërshtarët: ka ndikim zbutës, si një pajtues i heshtur i gjaqeve,
si dikush që “ta ftoh gjakun”.
– Ai nuk flet me gotë rakie, as me predikim për ahiret,
por e ka guximin që vjen nga qetësia:
vetë e ka lajmëruar veten në drejtësi: “Hetomëni.”
– Tani, Hajrulla Çeku, “turku” nga Prizreni, luftohet gramatikisht nga mediat e oligarkëve dhe opozita…me një zanore, me zanoren “o”: jo Çeku, po Çeko.
Nuk kanë gjetur armë tjetër kundër tij.
– Në Prishtinën e gropave, ndoshta vetëm një “turk” mund ta mbushë me dritë.
– Hajra nuk bërtet “më don Zoti”, sepse e di që Zoti dëgjon në heshtje, jo në fushata PR-i.
⸻
Kimete Berisha
– Unë do të votoj “turkun”.
Në këtë qytet që s’e di a është kryeqytet, kantier apo vendlindje fantazmash,
më mirë ‘turku’ që punon në heshtje,
se sa Përparimi që bie në gropa,
apo Urani që falet në to.
_____
P.S.
Nëse dritat ndizen ndonjëherë, mos e kërkoni Përparim Ramën…ndoshta s’ka dalë ende nga ndonjë nga gropat e tij.