Ish i burgosuri politik, Enver Dugolli, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Avni Klinakut, duke e quajtur “gënjeshtër të paskrupullt” atë që është thënë për kryeministrin Albin Kurti përcjell agjencia e lajmeve INA.
Në një postim publik, Dugolli thekson se nuk po mbron Kurtin, por të vërtetën që ai e ka përjetuar nga afër, në periudhën e burgosjeve politike gjatë regjimit serb.
“E njoh mirë edhe Avniun, edhe Albinin. Madje i kam njohur në rrethana ku çdo njeri provohej deri në kufijtë e ekzistencës fizike. Dhe pikërisht për këtë e kam për detyrë të flas,” – ka shkruar Dugolli.
Ai thotë se Albin Kurti ka qenë ndër të burgosurit më të përgatitur, më të vendosur dhe më të gatshëm për sakrificë, duke qëndruar me dinjitet në çdo rrethanë. Sipas tij, Klinaku nuk mund të krahasohet me qëndrueshmërinë dhe integritetin e Kurtit.
“Albin Kurti ka qenë njëri nga të burgosurit politik më të përgatiturit, më të vendosurit dhe më të gatshmit për sakrificë, deri në fund, pa asnjë hezitim. Përballë kësaj qëndrese, Avni Klinaku nuk mund të krahasohet,” – ka shkruar ndër të tjera Dugolli.
Ai ka shtuar se kurrë më parë nuk ka dashur të flasë për dobësitë e Klinakut, por ka ndjerë detyrim moral të reagojë, pasi, sipas tij, “përpjekja për të përbaltur figurën e Albin Kurtit është e papranueshme”.
“Asnjë i burgosur politik i asaj kohe që e ka njohur Albinin nuk do të pajtohej me trillimet e Avniut,” – ka theksuar ai.
Në fund, Enver Dugolli e mbyll reagimin e tij me një mesazh të fortë moral:
“Nëse ka diçka të vërtetë në gjithë këtë mes, është vetëm kjo: Avni Klinaku gjithmonë ka pasur zili dijen, integritetin dhe qëndresën e Albin Kurtit. Por kjo flet për karakterin e tij të dobët, dhe nuk thotë asgjë për Albinin.”(INA)