Osman Ferizi, ish-kryetar i Degës së LDK-së dhe Shoqatës Kulturore “Sali Çekaj” në Gjermani, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot” ka kritikuar ashpër mbajtjen e protestës gjatë ditës së diel në Hagë të Holandës, atje ku po vazhdon gjykimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, të cilët, ndër tjerash, akuzohen edhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë, anëtarë të LDK-së.
“Eksponentët e kriminalizuar të OVL-UÇK-së nuk kanë as mandat dhe as moral të flasin në emër të shoqatave të luftës apo të mërgatës shqiptare. Protestat e tyre në Hagë nuk janë mbrojtje e UÇK-së, por presion i hapur ndaj drejtësisë dhe përpjekje për t’i shpëtuar ndëshkimit nga drejtësia ndërkombëtare”, thotë Ferizi.
Sipas tij, e vërteta është se shumica e të akuzuarve janë bërë milionerë pas luftës.
“Ata duhet të japin llogari jo vetëm para Gjykatës Speciale, por edhe para ligjeve të Kosovës – për hajni, për abuzime me privatizim dhe për proceset politike e dëmet e pallogaritshme që ia kanë shkaktuar popullit. Nuk është e drejtë që mbrojtja e tyre të paguhet me miliona euro nga taksat e qytetarëve tanë.
Këta eksponentë aq shumë e kanë ulur dhe keqpërdorur emrin e UÇK-së, saqë vetë kanë deklaruar publikisht se “ne nuk kishim rol, as autoritet, as vendimmarrje””, thekson Ferizi.
Ai thotë se me këtë qasje ata jo vetëm që ia kanë ulur krenarinë popullit, por e kanë turpëruar atë para botës.
“Në vend që të mbrojnë dinjitetin e shokëve dhe sakrificën e dëshmorëve, ata kanë hyrë në një garë të turpshme: kush do ta fundosë shokun e vet më shumë dhe kush do të dalë më i nënshtruar para gjykatës. Ky është dëm i madh moral e politik për Kosovën dhe për historinë e saj të lavdishme. Nuk duhet harruar: në Kosovë, para, gjatë dhe pas luftës, u vranë ushtarakë, gazetarë dhe veprimtarë politikë që mbronin institucionet dhe Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova”, deklaron Ferizi.
“Si pasojë e këtyre vrasjeve sot kemi përçarje dhe polarizim të thellë politik, ndërsa familjet e viktimave ende presin drejtësi. LDK që nga fillimi e ka mbështetur Gjykatën Speciale dhe drejtësinë ndërkombëtare. Përkundrazi, është PDK dhe VV që kanë bërë pazare, duke tentuar që kjo gjykatë të përdorej për të dënuar kundërshtarët e brendshëm politik, e në fund u fundosën vetë. Është e ditur se edhe VV ishte pjesë e përpjekjeve për ta zhbërë Gjykatën, por vendosmëria e Ambasadës së SHBA-së e ndaloi këtë. Dimë gjithashtu që eksponentë të VV-së, përfshirë ministra dhe vetë kryeparlamentarin Konjufca, kanë vizituar të akuzuarit në Hagë”, shton Osman Ferizi për “Bota sot”.
Për fund, Ferizi thotë se përmes milionave, po tentohet të blihet liria në Speciale.
“Pra, këta hanë në një çanak, ndonëse përdorin retorikë të ndryshme. Qëllimi i tyre është i njëjtë: të zhbëjnë historinë shtetformuese të LDK-së dhe Presidentit Ibrahim Rugova, themeli i Dardanisë bashkë me gjakun e dëshmorëve.
33 milionë janë paguar për mbrojtje. Po tentohet të blihet liria duke shpërndarë miliona euro personaliteteve vendore dhe të huaja (si rastet Rubin, Grenell…), por nuk besojmë se drejtësia do t’i zhgënjejë familjet e të vrarëve dhe viktimat që presin zbardhjen e së vërtetës. Kush i arsyeton 33 milion kur dënohen si vrasës apo nxitës të vrasjeve! Mërgata shqiptare ka qenë gjithmonë krah lirisë dhe shtetformimit të Kosovës, kurrë për mbrojtjen e krimit dhe kriminelëve. Larg duart nga mërgata, të cilën e keni vjedhur, plaçkitur, mashtruar e injoruar!”, përfundon Osman Ferizi, ish-kryetar i Degës së LDK-së dhe Shoqatës Kulturore “Sali Çekaj” në Gjermani.