Vendimi i kryetarit të Degës së LDK në Vushtrri, Xhafer Tahiri, për të lidhur koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje në balotazhin e 9 nëntorit, ka shkaktuar tronditje në skenën politike dhe reagime të ashpra nga qendra e partisë.
Kështu, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është pozicionuar fuqishëm kundër këtij bashkëpunimi, të cilin shumëkush po e konsideron si dëshmi të përçarjeve të thella brenda partisë së parë demokratike në historinë e Kosovës.
Për këtë situatë, analisti politik Gani Qarri, në një prononcim për “Bota Sot”, thotë se LDK-ja jo vetëm që është e ndarë në dy taborë, por tashmë është e përçarë në disa rajone. Ai fajëson udhëheqjen aktuale për mungesë vizioni dhe përpjekje për kontroll absolut të partisë.
Në vijim, Qarri flet për rrënjët e kësaj përçarjeje, për rastin Tahiri-LVV, dhe për mënyrën se si, sipas tij, Abdixhiku po e çon LDK-në drejt rënies politike dhe shpërbërjes së brendshme.
Ai kujton me këtë rast edhe “dëbimin” e kuadrove të njohura nga LDK-ja, siç është Faton Bislimi, duke thënë se rasti i tij dhe i Xhafer Tahirit janë dëshmi e kësaj përçarjeje.
“Në fakt ka pasur edhe më përpara, disa përçarje të thelle brenda LDK-së, me ç’rast janë dëbuar kuadro shumë të njohura politike dhe aktivistë të devotshëm shumëvjeçarë të kryesisë së LDK-së, si z. Faton Bislimi i cili u detyrua të jepte dorëheqje nga Kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, për shkak të personalizimit ekstrem dhe përpjekjes për të minuar pozicionin e individëve, ai, njeri i cili siç shprehej kishte zgjedhur LDK-në e ideve dhe parimeve politike, jo interesat e individëve, lavdinë e profiterëve dhe tregtarëve politikë. Njerëz si z. F. Bislimi e adhuronin LDK-në e atyre që kanë bërë sakrifica dhe kanë punuar pa u lodhur për liri, demokraci dhe pavarësi, andaj edhe rasti më i ri që po kundërshtohet me kaq ngulm nga z. Abdixhiku, si koalicioni të cilin e lidhi ish kryetari i Vushtrrisë, kryetari i Degës së kësaj partie në Vushtrri dhe anëtari i Kryesisë Qendrore të LDK-së, z. Xhafer Tahiri me LVV-ne, flet se përçarjet, në këtë parti po vazhdojnë,” ka thënë Qarri për “Bota Sot”.
Sa i takon udhëheqjes qendrore të LDK-së, sipas Qarrit, zgjedhjet e 9 shkurtit kanë dhënë mesazhin më të qartë:
“Atëherë u pa shumë qartë, se nuk është respektuar vullneti politik i votuesve por është vendosur egoja e kryetarit, para vullnetit të qytetarëve të vendit, gjë që po dëshmohet edhe me reagimin kundër koalicionit ndërpartiak LDK-LVV në Vushtrri.
Është mungesa e numrave të mjaftueshëm për arritjen e shumicës, njëjtë si në Kuvendin e Kosovës, që po i detyron edhe kryetarët e kuvendeve komunale për bashkëpunim me kandidatët nga degët lokale të partive të ndryshme politike për arritjen e koalicioneve të ‘pa dëshirueshme’ nga baza qendrore, vetëm e vetëm që t’i grumbullojnë vota të mjaftueshme për bashkëqeverisje në mandatin 4-vjeçar të kryetarëve të kuvendeve komunale, siç ndodhi edhe në Vushtri ndërmjet z. Xhafer Tahiri të LDK-së dhe z. Humolli të LVV-së,” ka potencuar Qarri.
Në kuadër të kësaj, ai shprehet se ka qenë e drejtë e z. Tahirit të bashkohej me LVV-në kundër LDK-së në Vushtrri:
“Derisa të gjitha degët e partive politike, ku më pak e ku më shumë, kanë edhe një lloj autonomie në vendimmarrje, kandidatët për kryetarë të komunave, që përballen me problemin e dështimit dhe humbjen e një mandati 4-vjeçar, janë të detyruar që të hyjnë në koalicione siç ndodhi edhe me koalicionin LVV-LDK me në krye z. Xhafer Tahiri i cili përveçse ishte ish-kryetar i Vushtrrisë dhe kryetar i degës së LDK-së për këtë komunë, është edhe anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie, ndaj është e drejtë e tij, që të vendosë me kënd dëshiron të bashkëveprojë, në përballje me kundërkandidatin nga PDK, më 9 nëntor dhe ditën kur mbahen votimet e balotazheve ta fitojnë mandatin 4-vjeçar për të udhëhequr bashkërisht komunën e tyre.
“Abdixhiku, në fakt derisa vet pritet të bëjë dhe preferon koalicione në disa komuna me PDK-në, i nevrikosur pse Xhafer Tahiri krijoi koalicion për të fituar në balotazh kundër kandidatit të PDK-së, po përpiqet t’i ndalojë koalicionet komunale me partitë tjera, ndaj me sjellje kaq të egra, Abdixhiku ngadalë por shumë sigurt, po rrëshqet në diktaturë, për çka përgjigjen më meritore e mori nga qytetarët, kur ata në zgjedhjet nacionale e vendosën grupimin e udhëhequr nga z. Abdixhiku në vendin e tretë,” ka theksuar ai.
Në anën tjetër, sipas Qarrit, kandidatët për kryetarë të komunave nuk janë të thirrur për të zhvilluar politikën qendrore të partive, por për të udhëhequr komunat.
“Andaj derisa koalicionet lokale, ndryshojnë nga ato qendrore, çdo koalicion i degës së partisë me subjektin tjetër më të përshtatshëm politik, duhet të jetë jo vetëm i pranueshëm por edhe i preferuar, si akt demokratik nga partia, për të fituar mandatin 4-vjeçar, pa vjedhur apo manipuluar votat e konkurrentëve, madje edhe të bashkpartiakëve, siç ka ndodhur në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit,” është shprehur analisti.
Kështu, ai thotë se habit fort reagimi negativ i kryesisë së LDK-së, duke kujtuar se kjo parti vet ka disa herë që ka hyrë në koalicione edhe me partitë kundërshtare, të cilat në fushatat e mëhershme parazgjedhore i akuzonin për vrasje të figurave më të larta politike të LDK-së, si dhe me të ashtuquajturën “listë serbe”.
“Është e habitshme që kryesia, koalicionin e arritur komunal të z. Xhafer Tahiri, në nivel lokal, ta quaj të ‘papranueshëm’ dhe kërcënojë me ndërmarrje masash vetëm pse rivali i Xhafer Tahirit, z. Ferit Idrizi, vjen nga PDK, kur dihet mirëfilli se gjatë gjithë fushatës parazgjedhore, z. Tahiri i ka munguar mbështetja e partisë, dhe është lënë anash nga kryetari Abdixhiku dhe kryesia qendrore.”
Për rrjedhojë, nëse nuk ka planifikuar që ta dëbojë edhe z. Tahiri nga LDK-ja, i cili është edhe anëtar i Kryesisë Qendrore të LDK-së, siç ka dëbuar edhe dhjetëra kuadro të tjerë të zot, është shumë e papranueshme që kryetari i LDK-së aktuale, për shkak se z. Tahiri e konsideron rivalë kundër kandidatin nga PDK-ja dhe ka nënshkruar koalicion paszgjedhor kundër tij, të dalë publikisht dhe ta kërcënojë atë me ndërmarrje masash, për ta betonizuar pozitën e vet, në krye të partisë dhe lëshuar edhe më poshtë, para syve të qytetarëve, LDK-në (e vërtetë) të Dr. Ibrahim Rugovës, dikur parti e mirënjohur institucionale dhe shembull e partisë shtetformuese.”
Andaj, sipas publicistit Qarri, LDK-ja jo vetëm që vazhdon të jetë e ndarë në dy taborë, por për aq më keq, është e përçarë dhe e grupëzuar në disa rajone, ku secili lufton ta eliminojë tjetrin sa më parë dhe deri në atë shkallë, sa një ditë të shkapërderdhet e tërë, për të krijuar një subjekt të ri politik, apo për t’iu bashkuar a bashkangjitur partive tjera.
“Kjo duke filluar që nga dega në Vushtrri, të cilën nëse Abdixhiku nuk heq dorë nga presioni, po e detyron vet të ikë dhe largohet nga partia ‘amë’, gjendje në të cilën LDK-në e kanë sjellë Isa Mustafa dhe po e thellon edhe më tepër Lumir Abdixhiku, pasi që asnjërin nga këta nuk i ka lidhur kurrë asgjë me LDK-në e Dr. Ibrahim Rugovës, e nuk i lidh as sot fare me të, përveç ndërtimit të karrierës personale dhe benefiteve tjera ekzistuese, duke shfrytëzuar strukturat ende funksionale të partisë dhe emrin famëmadh të ish-LDK-së së Dr. Ibrahim Rugovës,” ka përfunduar ai.