Liburn Aliu, ish-ministri i Infrastrukturës në Qeverinë “Kurti 2” është emëruar në postin e drejtorit të Portit të Durrësit.
Aliu është emëruar drejtor me vendim të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ministrja e Arsimit në Shqipëri , Mirela Kumbaro Furxhi ka konfirmuar raportimet se Liburn Aliu është emëruar në krye të Portit të Durrësit.
Në një postim në Facebook, ajo tha se është një zgjedhje e goditur nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
“Shumë i bukur lajmi për emërimin e Liburn Aliut në krye të Portit të Durrësit! Përherë e kemi thënë se Durrësi është porta e përbashkët drejt Adriatikut si për Shqipërinë dhe Kosovën, prandaj nuk mund të kishte zgjedhje më të mirë për ta mishëruar këtë vizion e ndjesi, se sa Liburni, një atdhetar dhe funksionar i sprovuar publik, me të cilin si ish-Ministre e Mjedisit kam pasur marrëdhënie të shkëlqyera bashkëpunimi gjatë kohës kur edhe ai drejtonte sektorët e mjedisit dhe planifikimit hapësinor si Ministër në Kosovë Zgjedhje e goditur Belinda Balluku Urime e me krahë të lehta!”, ka shkruar ajo.
Liburn Aliu dha dorëheqje më 27 gusht të këtij viti nga posti i ministrit, vetëm një ditë pasi Dimal Basha u zgjodh Kryetar i Parlamentit.(INA)