Gjatë orëve të vona të natës po vijon një valë e dytë e sulmeve të Iranit në kuadër të Operacionit “Premtimi i Vërtetë” kundër Izraelit.
Sipas njoftimit, sulmi i ri përfshin një kombinim të dronëve dhe më shumë se 100 raketave, me qytetet Haifa dhe Tel Aviv si objektivat kryesorë. “Sulmi do të prishë gjumin e banorëve”, thuhet në deklaratën e transmetuar nga televizioni shtetëror iranian.
Nga ana tjetër, Shërbimi i Urgjencës së Izraelit (MDA) ka bërë me dije se deri më tani nuk janë marrë telefonata për viktima në linjën emergjente 101. Zëdhënësja e MDA-së shtoi se ekipet janë dërguar në dy lokacione të ndryshme ku janë raportuar incidente.
Zjarrfikësit dhe Shpëtimi i Izraelit raportojnë se kanë ndërhyrë në disa zona bregdetare dhe veriore për shkak të mbeturinave të raketave, dëmeve të shkaktuara në ndërtesa banimi si dhe zjarreve të shpërthyera në hapësira të hapura. Ekipet janë aktualisht në terren për të menaxhuar situatën.
Ky zhvillim vjen në një kohë tensionesh të larta rajonale, duke shtuar pasigurinë në Lindjen e Mesme.
Policia izraelite: Ka viktima në Rajonin Verior
Policia izraelite ka njoftuar se është rrëzuar një “mjet shpërthyes” në zonën e Rajonit Verior. Nuk është sqaruar nëse bëhet fjalë për një raketë apo dron.
Raportet e para flasin për disa viktima dhe dëme në vendin e ngjarjes, thuhet në deklaratë.
Irani ka njoftuar se përveç 100 raketave të lëshuara ndaj Izraelit, ka lëshuar edhe dronë.
Shërbimi izraelit i zjarrfikësve dhe shpëtimit ka bërë të ditur se ka reaguar ndaj disa sulmeve në pjesët bregdetare dhe veriore të vendit, përfshirë rënie mbeturinash, dëme në ndërtesa banimi dhe zjarre në zona të hapura.
Ekipet e zjarrfikësve janë në rrugë, thuhet në njoftim.
Shënjestrat kryesore janë Haifa dhe Tel Avivi, raketa edhe mbi Jerusalem
Televizioni shtetëror izraelit ka raportuar se qytetet kryesore të shënjestruara gjatë natës janë Haifa dhe Tel Avivi.
Raportohet se disa raketa janë parë edhe mbi Jerusalemin dhe se në veri të Izraelit dëgjohen shpërthime. Nuk është ende e qartë nëse bëhet fjalë për goditje direkte apo për raketa të kapura në ajër.
Alarmet ajrore janë aktivizuar edhe në Jordaninë fqinje.
“Sulmet do ta prishin gjumin e banorëve të Izraelit sonte,” ka njoftuar televizioni shtetëror iranian.
Kanë filluar sulme të reja ndaj Izraelit
Irani ka filluar sonte sulme të reja ndaj Izraelit. Raketat janë parë duke hyrë në hapësirën ajrore izraelite, kanë bërë të ditur Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF).
Ata kanë udhëzuar qytetarët në të gjithë vendin që të qëndrojnë afër vendeve të mbrojtura.
“Lëvizja në hapësirat publike duhet të kufizohet në minimum dhe duhet shmangur çdo tubim publik,” thuhet në deklaratë.
Forcat izraelite njoftojnë se aktualisht forcat ajrore po godasin objektiva ushtarake në Teheran, paralelisht me aktivitetet për kapjen e raketave të lëshuara nga Irani.
Televizioni shtetëror iranian ka bërë të ditur se janë lëshuar 100 raketa si pjesë e valës së dytë të operacionit “Premtimi i drejtë 3”.(INA)