Lokalet/ Rekord kandidatësh për kryetar të komunave dhe këshillave komunalë

Picture of INA
INA

15/09/2025

312 kandidatë janë paraqitur për të garuar për kryetar të 80 komunave dhe Qytetit të Shkupit në kuadër të zgjedhjeve lokale, të cilat do të mbahen më 19 tetor të këtij viti. Nga ana tjetër, në komisionet zgjedhore janë dorëzuar 575 lista të kandidatëve për këshilltarë. Megjithatë, lista nuk është përfundimtare, pasi ka filluar procesi i verifikimit i cili do të zgjatë deri më 20 shtator kur do të dihet se cilët nga kandidatët i plotësojnë kushtet për të garuar. Interesim më të madh ka për Qytetin e Shkupit. Gjithsej janë paraqitur 18 kandidatë dhe 20 lista për këshilltarë, ndërsa gara më serioze pritet të jetë tradicionalisht mes kandidatëve të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, Orce Gjorgjievskit dhe Kaja Shukovës.

9 kandidatë janë paraqitur për Komunën e Strugës, ku përballja më serioze pritet të jetë mes kandidatit të pavarur që po mbështetet edhe nga koalicioni VLEN, Mendi Qyra dhe kandidatit të Aleancës Kombëtare për Integrim, Arsim Dalipi. Ndërsa 9 kandidatë, gjithashtu janë paraqitur edhe për Prilepin. Në Kumanovë janë paraqitur 8 kandidatë, ndërsa gara kryesore pritet të zhvillohet mes Maksim Dimitrievskit të ZNAM-it dhe Martin Kostovskit të LSDM-së. Nga 8 kandidatë gjithashtu janë paraqitur edhe për Manasitirin dhe Shuto Orizaren. Nga 7 kandidatë për Kisella Vodën, Gazi Babën dhe Dollnenin.

Për Tetovën janë paraqitur 6 kandidatë, ndërsa gara më serioze pritet të zhvillohet mes Bilall Kasamit të VLEN-it dhe Bajram Rexhepit të AKI-së. Po aq kandidatë janë paraqitur edhe për Novacin, Aerodromin dhe Koçanin. Nga 5 kandidatë për Karposhin, Debërcën, Demir Hisarin, Demir Kapinë dhe Gjevgjelinë.

Në 15 komuna të vendit, janë paraqitur nga 4 kandidatë. Në Gostivar përballë Valbon Limanit të AKI-së do të jenë Sebaedin Dauti nga VLEN, Darko Grujoski nga e Majta dhe Visar Ademi si kandidat i pavarur. Në Kërçovë kryetari i deritanishëm Fatmir Dehari do të përballet me Fatmir Limanin e VLEN-it, ndërsa kandidaturë kanë paraqitur edhe Aleksandar Jovanovski nga VMRO-DPMNE dhe Shkodran Alili kandidat i pavarur. 4 kandidatë do të ketë edhe në Saraj, krahas përballjes së Blerant Ramadanit nga AKI dhe Muhamet Elmazit nga VLEN, janë paraqitur për të garuar edhe Tenzi Beluli nga partia Demokratët dhe kandidati i pavarur Remzi Mamuti.

Për 24 komuna të vendit janë paraqitur nga 3 kandidatë. Ndër garat më të ashpra që pritet të jenë në këto zgjedhje është për Çairin, ku në duelin midis Izet Mexhiti nga VLEN-it dhe Bujar Osmani nga AKI-së, ka shprehur interesim të përfshihet edhe Ico Kolevski nga Partia e Punëtorëve. Në Haraçinë, përballja serioze pritet të zhvillohet mes Daut Beqirit të koalicionit VLEN dhe Skender Isufit nga AKI, ndërsa do të garojë si kandidat i pavarur edhe Fekri Bakiu. Dibrën, VLEN e synon me Fisnik Melën, ndërsa AKI me Ilirijan Fetahun, ndërsa në garë është paraqitur edhe Ramadan Imeri si kandidat i pavarur. Azem Sadiku është kandidat i pavarur për edhe një mandat për Studeniçanin, ndërsa përballë do të ketë kandidatin e VLEN-it, Sedat Bislimin dhe atë të AKI-së, Ejup Abazi.

Në 22 komuna të vendit janë paraqitur nga vetëm 2 kandidatë. Erkan Arifi nën logon e AKI-së do të kërkojë edhe një mandat në Likovë, ndërsa kundërshtar do ta ketë Nexhmedin Sadikin nga VLEN. Gjithashtu edhe në Zhelinë Blerim Sejdiu do të garojë për të ruajtur pozitën e kryetarit, ndërsa përballë do ta ketë Emir Sulejmanin nga AKI. Në Bogovinë, Feti Abazi nga VLEN, forcat do t’i matë me Besnik Emshiun nga AKI, ndërsa në Tearcë Daut Emshiu nga VLEN do të ketë përballë Nazim Taipin nga AKI.

TË FUNDIT

Kasami: Me investimet po e bëjmë qytetin të qasshëm për të gjithë!

Edhe banorët e Strugës ankohen për ndotje të madhe për shkak të mbeturinave

Rubin: Në ’99-tën mësova për marrëdhëniet e CIA me Ramush Haradinajn, ishin në kontakt prej vitesh

8 kandidatë në garë për kryetar të Kumanovës

Ulen çmimet e derivateve të naftës

Meritoni bën postimin e papritur për Rike Roçin, i thotë këto fjalë

ME TE LEXUARA

1
Kasami: Me investimet po e bëjmë qytetin të qasshëm për të gjithë!
1
Edhe banorët e Strugës ankohen për ndotje të madhe për shkak të mbeturinave
1
Rubin: Në ’99-tën mësova për marrëdhëniet e CIA me Ramush Haradinajn, ishin në kontakt prej vitesh
1
8 kandidatë në garë për kryetar të Kumanovës
1
Ulen çmimet e derivateve të naftës

LEXO MË SHUMË

Kasami: Me investimet po e bëjmë qytetin të qasshëm për të gjithë!

Edhe banorët e Strugës ankohen për ndotje të madhe për shkak të mbeturinave

Rubin: Në ’99-tën mësova për marrëdhëniet e CIA me Ramush Haradinajn, ishin në kontakt prej vitesh

8 kandidatë në garë për kryetar të Kumanovës

Ulen çmimet e derivateve të naftës

Meritoni bën postimin e papritur për Rike Roçin, i thotë këto fjalë