Kimete Berisha
1. Propaganda votoi e para.
– Mafia lokale zgjidhet me vota,
por mafia mediale, i zgjedh vetë votat.
– Në Kosovë, propaganda nuk është as e ftohtë si ajo ruse, as e heshtur si ajo perëndimore, është burimore, emocionale, e zjarrtë, gazmore, e mbushur me ndjenja hakmarrëse, dhe me buzëqeshje!
– Gazetarët shqiptarë nuk e fshehin kënaqësinë kur duan ta “mbysin” armikun politik…sepse në këtë vend, hakmarrja ende quhet opinion.
– Propaganda e tyre nuk të detyron të bësh asgjë.
Të lodh.
Dhe lodhja është vdekja më e ngadalshme, ajo që ta shuan shpresën pa ta marrë shpirtin.
2. Sugjestioni si armë.
– Inxhinieria mediale nuk e ndalon askënd të votojë, thjesht të bind se s’ia vlen.
– Në orët e fundit para mbylljes së kutive, ekranet shpallnin “rezultate dramatike”, me exit-pollet e frikës.
Sugjestioni ishte masiv, helmues, si rrena si ujin me shllaf syve të votuesve: gjithçka ka mbaruar, vota jote s’ka më kuptim.
– Gazetarët nuk e matën opinionin, e krijuan atë, me porosi.
Sondazhet u kthyen në armë psikologjike, një lojë për të prodhuar ndjenja e jo lajme.
– Në çdo studio, kutitë u hapën para kohe: një “ekspert”, një “tronditje”, një “rezultat dramatik”.
– Dhe për një çast, edhe unë ndjeva sugjestionin: ekranet e mbushura me grafika dhe “burime konfidenciale” ma krijuan ndjesinë e një lufte të humbur që s’kishte nisur ende.
3. Frika prej leshi!
– Iluzioni i projektuar nga mediat
bëri që të ndihemi të panevojshëm:
se gjithçka ka mbaruar që në
mëngjes, se vota jote… është vonë tash.
– Në orën 15:00, një titull i vetëm e përshkroi gjendjen kolektive:
“Dihet fituesi… kush doli, doli.”
Kjo është formula e propagandës shqiptare, të lodhë derisa të dorëzohesh vetë.
– Do të ishte forma më e butë, më e sofistikuar e manipulimit politik, nëse gazetarët do të përmbaheshin nga lumturimi.
– Ata dukeshin euforikë dhe patetikë, sepse nuk e fshihnin lumturinë e tyre për humbjen e Mitrovicës së Jugut nga armiku i tyre shqiptar, e asnjëherë nuk u mërzitën që nëntë komuna të veriut i morën serbët!
4. Orakujt e frikës.
– Që janë exit pollet e orkestruara dhe të paguara nga sponsorët e vjetër, s’ka dert, se u del duçi, ata e dinë, por ne s’e ditëm se qëllimi i tyre nuk ishte të krijonin fituesit,
por të hutonin votuesit, që të mos dilnim në votime…
– Fati i zgjedhjeve u transmetua “live”, me komente dramatike.
– Recetat psikologjike të gazetarëve
tingëllonin si parashikime tarot të gazetarisë, për fundin e palavdishëm të një epoke dhe për një Pavarësi të Re të Kosovës….
…me intonacione që ngjallnin ndjenjën e një frike misterioze, sepse dy letra Tarot, ajo me kokë teposhtë dhe ajo e vdekjes: Death, i ishin ndarë Vetëvendosjes:
– ‘Rezultati është katastrofik për ta…më shumë s’mund të themi…’…
dhe pastaj ia jepnin një rend ‘ha ha ha’.
5. Plogështia shpirtërore fitoi.
– Rezultati?
Vetëm 32% votues.
Propaganda fitoi pa vjedhur vota , thjesht duke vjedhur ndjenja.
– Apatia shqiptare s’është rastësi, është produkt.
Një shpikje e re që të jep iluzionin e zgjedhjes, por jo dëshirën për të zgjedhur.
Në një vend ku vetëm një në tre del në votime, propaganda nuk ka nevojë të bindë askënd, mjafton të lodhë shumicën.
– Ndoshta apatia kolektive është produkt i lodhjes, i nënvetëdijes që çdo “ndryshim” është vetëm rotacion i mjerimit.
6. Lodhje a dorëzim.
– Kështu vdes demokracia:
jo nga dhuna, por nga çasti kur njerëzit ndalen së besuari se vota e tyre ka kuptim.
Në fund të natës, një komb i tërë mbetet me të njëjtën ndjesi: atë të dorëzimit, si mënyra më e re e rehatisë shqiptare.
– Mafia që kontrollon komunat, kontrollon edhe lajmin.
Vjedh edhe tenderë, edhe ndjenja.
Dhe më e rrezikshme se mafia lokale është mafia mediale, që e krijon realitetin përpara se të ndodhë
7. Sevdalinjtë e apatisë!
– A e kanë zbuluar këto zgjedhje apatinë komode të shqiptarëve. ..
A u bë apatia për shqiptarët si melankolia për Victor Hugo: Sevda, ‘Sevda për t’u ndjerë i pikëlluar’!
– Apo, ndoshta është një…diçka tjetër, e nuk është apati, se kur ndodh që shqiptari e jep një golë, të gjithë dalin nga apatia për t’u kthyer prap në apati deri në golin e ardhshëm.
– Si ndodhi që futbolli u bë sport patriotik e zgjedhjet dhe çlirimi i Veriut nga kriminelët serbë u bën të panevojshme!
– Nëse do të pyeteshin shqiptarët, do t’u mjaftonte zbavitja, kotësia dhe bjerrakohësia,
do t’u mjaftonte çdo gjë që ‘e vret kohën’…e zgjedhje s’do të mbaheshin kurrë.
– Pra, duket se apatia vlen veç për politikë, se në lojë e në dashuri s’ka ankesa..gjaku vlon…nganjëherë… aty-këtu.
P.S. Kur gazetarët na treguan rezultatin para votës tonë, ata na e vodhëm votën pa na kërkuar asnjë dokument….!
(Dhe kështu, edhe propaganda ka Asociacionin e saj… që s’ka të bëjë më me gazetarinë, por me artin e dorëzimit kolektiv).