I ftuar në emisionin “Dnight”, artisti që njihet për shumë hite e energji të jashtëzakonshme në skenë, tregoi me lot në sy se ka kaluar një periudhë të errët, duke u përballur me varësinë nga lëndët narkotike.
“E kam provuar, kam qenë i varur, por falë babait tim dhe familjes, arrita të ngrihem sërish. Çdo të riu i them: hiqni dorë, sepse ajo nuk është jetë,” u shpreh Mandi mes emocionesh.
Ai tregoi se varësia e largoi për një kohë nga muzika, pasioni i tij më i madh, por se forca për t’u rikthyer e për të luftuar erdhi nga njerëzit e zemrës.
“Mund të mos jem i pasur me gjëra materiale, por jam njeriu më i pasur me fëmijë. Ata janë bekimi im më i madh,” tha këngëtari.
Mandi tregoi me krenari se është baba i nëntë fëmijëve – tre vajzave dhe gjashtë djemve, duke shtuar me humor se ndihet i bekuar dhe i “vulosur si pasha”, teksa falënderoi bashkëshortet e tij që i dhuruan këtë pasuri shpirtërore.
Ai nuk la pa përmendur edhe lidhjen familjare me muzikën, duke theksuar se talenti dhe pasioni për këngën i ka rrënjët në gjak. Këngëtari përmendi edhe Florjanin, autorin e hitit “Ngjyra e kuqe shumë i ngjan”, i cili është pjesë e rrethit të tij familjar.
Megjithëse ka kaluar vështirësi të rënda, Mandi theksoi se muzika ka qenë gjithmonë streha e tij shpirtërore, ndërsa sot ndihet më i fortë se kurrë.
“Mos e shkatërroni jetën me zakone të këqija. Unë jam dëshmi se njeriu mund të ringrihet. Familja, dashuria dhe muzika janë gjithçka,” tha ai në përfundim.
Rrëfimi i tij u prit me reagime të shumta në rrjete sociale, ku fansat dhe ndjekësit e përgëzuan për guximin, sinqeritetin dhe mesazhin inspirues që ndau me publikun.