Gazetari i njohur shqiptar, Marin Mema ka reaguar ashpër ndaj presidentit të Shipërisë, Bajram Begajt, duke ngritur akuza të forta dhe duke denoncuar me tone të ashpra disa qëndrime.
Mema e kritikoi mënyrën e formimit të qeverisë së re, duke e krahasuar atë me të Bangladeshit.
Madje, tha se, derisa shqiptarët po ikin, ata po zëvendësohen me punëtorë të Bangladeshit.
Ai tha se është tradhti ndaj kombit, të kujdesesh për xhepa të politikës e jo të qytetarëve.
“Në vend që të flasë për hallet e shqiptarëve, Presidenti i kërkon Kryeministrit të qeverisë teknike të Bangladeshit, Muhammad Yunus, të sjellë punëtorë nga vendi i tij. Pra, le të ikin shqiptarët, se do i zëvendësojmë me bangladeshas!
Kjo nuk është mbrojtje e kombit, kjo është tradhti ndaj tij. Kjo është të kujdesesh për xhepat e politikës dhe biznesit, jo për të ardhmen e shqiptarëve”, shkroi gazetari në Facebook, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë:
Presidenti i Republikës së Shqipërisë nuk e ndjen dhimbjen e shqiptarëve që po ikin çdo ditë, nuk shqetësohet për qytetet që po zbrazen dhe fshatrat që po shuhen. Mesa duket, vizioni i tij “global” e ka bërë të harrojë interesat e vendit që përfaqëson.
Në vend që të flasë për hallet e shqiptarëve, Presidenti i kërkon Kryeministrit të qeverisë teknike të Bangladeshit, Muhammad Yunus, të sjellë punëtorë nga vendi i tij. Pra, le të ikin shqiptarët, se do i zëvendësojmë me bangladeshas!
Kjo nuk është mbrojtje e kombit, kjo është tradhti ndaj tij. Kjo është të kujdesesh për xhepat e politikës dhe biznesit, jo për të ardhmen e shqiptarëve.
Me gjithë respektin për popullin e Bangladeshit, unë sot dua mbështetje për shqiptarët: vende pune, ekonomi të qëndrueshme, mundësi të vërteta për të rinjtë që po ikin me valixhe në dorë. Kjo duhet të jetë detyra e çdo shtetari që mban mbi supe emrin “President i Republikës së Shqipërisë”. Dhe nëse ai nuk e ndjen këtë përgjegjësi, atëherë nuk përfaqëson dot as popullin e vet.