Ndërmarrjet publike të qytetit “Higjiena Komunale” dhe “Parqet dhe Gjelbërimi” në Shkup do të drejtohen nga kuadro të Koalicionit VLEN, mëson Plusinfo.
Sipas këtij portali, kjo është një marrëveshj koalicioni për shpërndarjen e funksioneve në nivel lokal mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it, që është arritur së fundmi dhe që dyja partitë duhet ta përkrahin njëra tjetrën.
VMRO-DPMNE ka interesin e saj për kandidatin për qytetin e Shkupit, Orce Gjorgjievski në raundin e dytë. Ndërsa VLEN për kandidatët e saj në Çair dhe Saraj, Izet Mexhiti dhe Muhamet Elmazi.
Sipas Plusinfo, grupet punuese të VMRO-DPMNE-së dhe të VLEN-it po bisedojnë aktivisht për shpërndarjen e kuadrove në ndërmarrjet publike nën kompetencë të Qytetit të Shkupit. Sipas të njëjtave burime, tashmë ekziston pajtueshmëri që disa ndërmarrje, mes tyre “Parqet dhe Gjelbërimi” dhe “Higjiena Komunale”, të drejtohen nga kuadro që do t’i caktojë VLEN-i.