Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë e ndalimit të cigareve me filtra dhe produkteve elektronike të duhanit, raportoi gazeta gjermane Bild, e cila mori një projektrezolutë të Këshillit të Bashkimit Evropian për takimin e ardhshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), raporton dpa.
Sipas draftit, Këshilli i BE-së citon një raport nga grupi i punës i OBSH-së mbi rregullimin e produkteve të duhanit, i cili rekomandon në mënyrë të qartë ndalimin e filtrave me qëllim uljen e atraktivitetit dhe shijes së cigareve. Këshilli i BE-së e mbështet këtë rekomandim.
“Një ndalim i prodhimit, importit, shpërndarjes dhe shitjes së cigareve me filtra do të jepte një kontribut të rëndësishëm në uljen e konsumit të duhanit”, thuhet në draft.
Një ndalim i cigareve elektronike po shqyrtohet gjithashtu si një “opsion shtesë rregullator“, shtoi ajo.
Projekt-rezoluta do të diskutohet në konferencën e OBSH-së në Gjenevë në nëntor.
Rekomandimet e këtij lloji nga Këshilli i BE-së kanë implikime të rëndësishme për rregullimin e ardhshëm të duhanit në BE, duke përfshirë një rishikim të Direktivës së Produkteve të Duhanit, e cila mund të përfshijë ndalime për produkte të caktuara. Gazeta austriake Kronen-Zeitung raportoi më parë se Komisioni Evropian, i udhëhequr nga Ursula von der Leyen, gjithashtu mbështet ndalimin.
Për të zvogëluar konsumin e duhanit dhe varësinë nga nikotina, BE po shqyrton gjithashtu një ndalim të shitjeve në dyqane, stacione benzine dhe kioska, raportoi Bild.
Synimet e BE-së janë të mbrojë shëndetin e njeriut dhe mjedisin. Sipas draftit, “këto ndalime do të ishin një hap i rëndësishëm në zbatimin e direktivave të OBSH-së që synojnë mbrojtjen e ujërave nëntokësore dhe tokës, si dhe përmirësimin e shëndetit të njeriut”.
Gazeta tha se përfaqësuesit e qeverisë gjermane “mirëpritën” ndalimin e cigareve me filtër në një takim të Grupit të Punës të Këshillit të BE-së për Shëndetin Publik më 9 tetor, kur propozimi u diskutua për herë të parë. Një zëdhënëse e Ministrisë Federale të Shëndetësisë i tha Bild se një qëndrim i përbashkët i BE-së ishte ende “në proces harmonizimi”. /tesheshi.com/