Nga Kim Mehmeti
Nuk ka dyshim se armiku më madh i Kryeministrit në detyrë të Kosovës është Albini kokëfortë, Kurti me ndenjën e vetëmjaftueshmërisë dhe Albin Kurti që nuk i vlerëson mirë rrjedhat globale dhe ende beson se për Perëndimin është vlerë nderrshmëria dhe mos zhvatja e popullit që drejton.
Ndërkohë ‘mbështetës’ më i madh i kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje edhe më tej mbetet Kryetari i AAK’së, ky pinjoll i një familjeje që popullit të vet ia dha më të vlefshmen që kishte – rininë e bijve të saj. Pra ‘Ramboja’ i cili me t’u bërë drejtues i Kosovës u bë edhe pronar i shumë shtëpive dhe me qindra mijë metrave katrorë tokë.
‘Përkrahës’ të Kurtit janë edhe disa nga ata që tani ndodhen në Hagë, nga ku dhashtë Zoti kthehen sa më parë, ndaç edhe jo ashtu siç i përcollëm – si heronjë mbi kalë të bardhë që e mbronin UÇK’në nga ne që nuk pajtoheshim me ta si politikanë – por si ‘heronj mbi gomarë’ që ia dolën të ‘mbrohen’ nga UÇK’ja.
Pastaj Albini nuk ka pse brengoset për të ardhmen e tij politike përderisa është i armiqësuar me vëllazërinë e hajdutëve të Kosovës, ku nuk mungojnë as mendimtarë, biznismen, pronarë mediash, prokurorë, gjykatës…, ku janë gjithë ata që nuk kanë hallin e Kosovës, por si ta shpëtojnë pronën e zhvatur nga populli dhe të cilët më parë do pranonin ta kenë kryeministër Vuçiqin se sa Kurtin.
Pra Albinin e dëmton shumë Kurti i vetë pëlqyer që beson se çdo shqiptarë që me zemër e don të mirën e shqiptarisë nuk ka si të mos pranojë të bëhet shërbëtor dhe adhurues i tij.
Albinin në mas të madhe e dëmton ajo qe na dëmton edhe të gjithë neve qe naivisht besuam se Brukseli dhe Uashingtoni duan te bashkëpunojnë me politikanë të ndershëm shqiptarë që e luftojnë korrupsionin e jo me ata që për ta shpëtuar pronën e vjedhur gjithmonë thonë ‘po’!
Por sido qoftë, përderisa kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje e shan ‘Ramboja’ i AAk’së, përderisa atë e urrejnë opinionistët që jargaviten sa here që u kujtohet se ai ua hoqi grazhdin nga i cli majmeshin gjatë epokës së ‘klanit pronto’, Kurti nuk ka pse të mërzitet për të ardhmen e vet politike.
Por ndërkohë ai do duhet ta kuptojë se këta ‘përkrahës’ të tij të epur pa të cilët figura e tij mbase edhe sadopak do të zbehej nuk duhet përbuzur, por ata duhet lënë që të papenguar të mbyten në baltën e urrejtjes së vet ndaj tij. (Kim Mehmeti