Në gjithë territorin e Kosovës në orën 19:00 ka përfunduar periudha e votimit për zgjedhjet lokale që u mbajtën këtë të diel.
Sipas KQZ-së, procesi ka kaluar kryesisht i qetë dhe pa incidente të mëdha, ndërsa gjatë ditës janë raportuar vetëm disa vonesa të vogla në hapjen e qendrave të votimit në disa zona e fotografim të fletëvotimeve.
Rezultatet e para preliminare pritet të publikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë orëve në vazhdim.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se sonte do të nisë numërimi i votave për kandidatët për kryetar të komunave, ndërkaq nga nesër nisë numërimi për asamblistët.
“Në 19:30 do ta kemi të dhëna preliminare për pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje. Besojmë që brenda një kohe të shkurtër pas mbylljes së vendvotimeve do të mund të fillojë procesi i numërimit të fletëvotimeve. Sipas ligjit, numërohen fletëvotimet për kryetar të komunave dhe pastaj ato për kuvende komunale. Votat e kandidatëve për anëtarët e kuvendeve komunale numërohen nga nesër në qendrat komunale të numërimit”, ka thënë ai për rtk.
Elezi ka shtuar se kësaj radhe përditësimet e të dhënave kanë qenë më të shpeshta, krahasuar me zgjedhjet lokale të kaluara.
“Në përgjithësi krahasimin e bëjmë me zgjedhjet e llojit të njëjtë, pra me lokalet sepse kanë veçori të ndryshme. Në shkurtin e këtij viti në zgjedhjet parlamentare kemi pasur 1200 kandidatë për deputetë, ndërkaq në zgjedhjet lokale kemi 205 kandidatë dhe zgjidhjet për Kuvendin Komunal më shumë se 4 mijë”, ka thënë Elezi.