MEPSO nënshkruan marrëveshje granti prej 600 mijë euro me Agjencinë Franceze për Zhvillim

Picture of INA
INA

15/10/2025

Në ambientet e Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale të Republikës së Maqedonisë së Veriut sot u mbajt ceremonia solemne e nënshkrimit të Marrëveshjes së grantit ndërmjet MEPSO-s dhe Agjencisë franceze për zhvillim (AFD) e cila shënon vazhdimësinë dhe thellimin e bashkëpunimit teknik që synon mbështetjen e modernizimit të rrjetit kombëtar të transmetimit të energjisë elektrike.

Ngjarja u zhvillua në prani të Sanja Bozhinovskës, ministre e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale; Kristof Le Rigoller, ambasador i Francës në Republikën e Maqedonisë së Veriut; Burim Latifi, drejtor i përgjithshëm i MEPSO-s; Veronika Milevski, drejtoreshë ekzekutive e RTE International; Fransoa Vins, zëvendësdrejtor i Zyrës së AFD për Ballkanin Perëndimor, si dhe mysafirë nga sektori i energjisë.

Ky grant me vlerë 600,000 € ofron asistencë teknike të synuar për përmirësimin, modernizimin dhe digjitalizimin e rrjetit të transmetimit – hapa kyq për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, për të reduktuar humbjet teknike, për të rritur efikasitetin e sistemit dhe për të përgatitur MEPSO për rritjen e peshës së burimeve të ripërtrishme dhe integrimin në tregun rajonal.

Projekti, siç theksohet në kumtesë është i fokusuar në katër fusha kryesore; hartimin e studimeve për adekuatësine e sistemit duke përdorur simulatorin e tregut ANTARES; dimensionimin e rezervave sistemore; krijimin e një metodologjie për llogaritjen e humbjeve të transmetimit dhe prodhimin e një studimi fizibiliteti; si dhe përgatitjen e një dizajni konceptual për digjitalizimin e një nënstacioni.

Në kuadër të projektit, ekspertë nga RTE International – dega e operatorit francez të sistemit të transmetimit RTE – tashmë kanë zhvilluar trajnime për inxhinierët MEPSO mbi përdorimin e simulatorit ANTARES, duke përmirësuar kështu kapacitetet e tyre teknike dhe analitike për menaxhim më efikas të sistemit në një treg gjithnjë e më dinamik të energjisë elektrike.

Ministrja Sanja Bozhinovska theksoi rëndësinë e këtij partneriteti për ndërtimin e një sistemi energjetik modern dhe të qëndrueshëm të energjisë:

“Sot e konfirmojmë një partneritet që forcon rrugën tonë drejt një sistemi energjetik modern, të besueshëm dhe të përballueshëm. Asistenca teknike nga Agjencia Franceze e Zhvillimit do t’i mundësojë MEPSO të përshpejtojë modernizimin dhe digjitalizimin e rrjetit, të përmirësojë planifikimin dhe funksionimin dhe të menaxhojë në mënyrë më efektive paqëndrueshmërinë që rrjedh nga pjesa më e madhe e burimeve të ripërtrishme dhe dinamika e tregut. Kjo

mbështetje është e rëndësishme për qytetarët dhe ekonominë. Një rrjet më i avancuar dhe më i zgjuar do të thotë më pak ndërprerje, përdorim më të mirë të energjisë së pastër, lidhje më të forta rajonale dhe qëndrueshmërisë më të madhe të sistemit – pavarësisht kushteve klimatike, luhatjet në kërkesë ose paqëndrueshmëria e tregut”, tha ajo.

Drejtori i përgjithshëm i MEPSO-s, Burim Latifi, theksoi përkushtimin e kompanisë ndaj përsosmërisë teknike dhe disiplinës në zbatimin e saj:

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje granti, ne po forcojmë partneritetet tona strategjike dhe po ndërtojmë kapacitetet teknike të nevojshme për një rrjet modern transmetimi. Projekti pilot i digjitalizimit, i fokusuar në zhvillimin e një transformatori plotësisht digjital me sisteme të avancuara të mbrojtjes, menaxhimit dhe mbikëqyrjes, përfaqëson një hap konkret drejt transformimit të MEPSO në një operator më të zgjuar, më efikas dhe të orientuar drejt së ardhmes”, tha Latifi.

Veronika Milevski, drejtoreshë ekzekutive e RTE International, deklaroi:

“Ky projekt paraqet një hap të rëndësishëm përpara për sektorin energjetik të Maqedonisë së Veriut – bashkimi i ambicies kombëtare, bashkëpunimit rajonal dhe partneritetit evropian. Në bashkëpunim me MEPSO dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD), ne kontribuojmë në forcimin e sigurisë energjetike, konkurrencës dhe gatishmërisë së vendit për tranzicionin energjetik. Marrëveshja bashkon modelimin e avancuar të sistemit elektroenergjetik, parashikimin inovativ të rezervave duke përdorur inteligjencën artificiale dhe një projekt pilot për digjitalizimin e një nënstacioni 110 kV – një hap vendimtar drejt një rrjeti më të qëndrueshëm transparent dhe konkurrues”, tha ajo.

Ambasadori i Francës, Kristof Le Regoller, theksoi se kjo marrëveshje paraqet një hap tjetër përpara në thellimin e partneritetit ndërmjet Francës dhe Maqedonisë së Veriut. Ai theksoi se ky bashkëpunim pasqyron angazhimin e ndërsjellë të dy vendeve për rritje të qëndrueshme, inovacion dhe qëndrueshmëri energjetike. Ambasadori shtoi se Franca, përmes AFD dhe RTE International, është krenar që mbështet Maqedoninë e Veriut në përpjekjet e saj për të forcuar stabilitetin energjetik dhe për të krijuar një të ardhme më të gjelbër dhe më të digjitalizuar.

Fransoa Vins, zëvendësdrejtor i Zyrës së AFD-së për Ballkanin Perëndimor, nënvizoi se kjo marrëveshje e re ilustron angazhimin e vazhdueshëm të AFD-së për modernizimin e rrjetit të transmetimit në Maqedoninë e Veriut. Ai shtoi se ky bashkëpunim është pjesë e angazhimit më të fortë të AFD-së për të mbështetur partnerët maqedonas dhe ishte i kënaqur që shfrytëzoi këtë mundësi për të njoftuar hapjen e zyrës lokale të AFD-së në Shkup, e cila do të përfaqësohet nga zonja Melani Malinvo.

Projekti do të vazhdojë me aktivitete të reja për ngritjen e kapaciteteve dhe mbështetje teknike, të cilat do të mundësojnë aplikimin e teknologjive të avancuara dhe modeleve analitike për menaxhimin e sistemit të energjisë transmetuese të Maqedonisë së Veriut.

Rreth AFD-së Grupi AFD kontribuon në zbatimin e politikave të Francës për zhvillim të qëndrueshëm dhe solidaritet ndërkombëtar. Ai përfshin Agence Française de Développement (AFD) – e cila financon sektorin publik, organizatat joqeveritare, kërkimin shkencor dhe trajnimin; filialin e saj Proparco, i fokusuar në sektorin privat; dhe Expertise France, agjencinë për bashkëpunim teknik.

Grupi AFD financon, mbështet dhe përshpejton tranzicionet e nevojshme drejt një bote më të drejtë dhe qëndrueshme. Aktive në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nga viti 2019, AFD ka një mandat për të ndihmuar vendet e rajonit në konvergjencën drejt standardeve të BE-së dhe zbatimin e Marrëveshjes së Parisit për ndryshimet klimatike, me qëllim zhvillimin ekonomik gjithëpërfshirës dhe me karbon të ulët. Që atëherë, AFD ka angazhuar mbi 1.5 miliardë euro në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përmes 39 projekteve aktive.

TË FUNDIT

Limani: Shesh i ri prej 6,810 m² në Gostivar, me 219 vende për parkim

Sela: Kundërshtari ynë kryesor në këto zgjedhje është VMRO-DPMNE, jo VLEN

Zjarret kanë shkaktuar dëme të mëdha, vendi ka humbur 275 mijë metër kub dru

ULJA E ÇMIMEVE TË ENERGJISË: Biznesi përfiton, amvisëritë dëmtohen!

Nisi rrethimi i deponisë “Drislla”, në të ardhmen pritet të shndërrohet në qendër moderne për riciklim

Situata me mbeturinat në kryeqytet mbetet e rënduar

ME TE LEXUARA

1
Limani: Shesh i ri prej 6,810 m² në Gostivar, me 219 vende për parkim
1
Sela: Kundërshtari ynë kryesor në këto zgjedhje është VMRO-DPMNE, jo VLEN
1
Zjarret kanë shkaktuar dëme të mëdha, vendi ka humbur 275 mijë metër kub dru
1
ULJA E ÇMIMEVE TË ENERGJISË: Biznesi përfiton, amvisëritë dëmtohen!
1
Nisi rrethimi i deponisë “Drislla”, në të ardhmen pritet të shndërrohet në qendër moderne për riciklim

LEXO MË SHUMË

Limani: Shesh i ri prej 6,810 m² në Gostivar, me 219 vende për parkim

Sela: Kundërshtari ynë kryesor në këto zgjedhje është VMRO-DPMNE, jo VLEN

Zjarret kanë shkaktuar dëme të mëdha, vendi ka humbur 275 mijë metër kub dru

ULJA E ÇMIMEVE TË ENERGJISË: Biznesi përfiton, amvisëritë dëmtohen!

Nisi rrethimi i deponisë “Drislla”, në të ardhmen pritet të shndërrohet në qendër moderne për riciklim

Situata me mbeturinat në kryeqytet mbetet e rënduar