Maqedonia e Veriut është zhytur në një fushatë parazgjedhore ku beteja politike çdo ditë e më shumë po ashpërsohet. Në këtë klimë të ngarkuar tensioni, ku fushatat kanë marrë përmasa të paparashikuara, secili mundohet të shfrytëzojë hapësirën e vet, pavarësisht se çfarë i servohet, nga të rinjtë me mendje të shplara dhe pa liri ideologjike, që copëtojnë çdo ide me një “like” dhe “share”, deri te gazetarët që humbasin busullën profesionale dhe përqafojnë “lirinë” e fjalës si justifikim për çdo lloj katastrofe mediatike.
E kuptoj që disa politikanëve po u lëkunden kolltukët dhe disa të tjerë mezi po i mbajnë këmbët nga vrapi pas tyre. E kuptoj që loja është e ashpër, dhe përplasje do ketë. Por kur kjo etje për pushtet shndërrohet në një sport të përçudnimit, ku çdo mjet është i lejueshëm, edhe ai më i ndyrë, atëherë nuk kemi më të bëjmë as me politikë, as me informim. Kemi të bëjmë me një mjerim moral që nuk kursen askënd, as kundërshtarin, as publikun, as të vërtetën. Dhe kur je i gatshëm të bësh dëm deri në palcë, vetëm që të ngjitesh një shkallë më lart në pushtet, e tejkalon çdo përmasë logjike të së bërit politik. Madje edhe të qenit njeri.
Në këtë vorbull politike, në këtë luftë të ashpër për dominim, shfaqet një profil i rrezikshëm, ai i “gazetarit” që nuk raporton, por rreshtohet, që nuk informon, por nxit, që nuk kërkon të kuptojë të vërtetën, por të konstruktojë versionin më të dëmshëm të saj, në varësi të interesit që përfaqëson.
Në një vend si Maqedonia e Veriut, ku fjala e lirë është ende një betejë e përditshme dhe jo një e drejtë e garantuar në praktikë, profesioni i gazetarit mbetet një nga mjetet më të fuqishme për të ndërtuar apo rrënuar realitete. Fatkeqësisht, jemi gjithnjë e më shpesh dëshmitarë të kësaj të dytës. Këtu, gazetaria është një profesion që shumë e përdorin si strehë për të mbijetuar, por pak e trajtojnë me seriozitetin dhe përgjegjësinë që kërkon.
Ka një kategori të veçantë njerëzish që e quajnë veten gazetarë, por në thelb nuk kanë as lidhje me etikën, as me misionin e vërtetë të profesionit. Ata nuk raportojnë për të informuar, as për të zbuluar të vërtetën. Ata shkruajnë për të bërë dëm, për të krijuar ndjesi. Dhe më e keqja, e bëjnë këtë duke shfrytëzuar emra të përveçëm, njerëz të zakonshëm, histori të rreme, gjysmë të vërteta apo thjesht shpifje të pastra.Është pikërisht ky lloj i polarizimit dhe jo i informimit, i shantazhimit e jo i raportimit dhe në fund një popull që nuk lexon/degjon por helmohet.
Portalet që shfaqen, pa redaksi, pa autorë të vërtetë, pa asnjë filtër etik, janë kthyer në armë të lirë në duart e njerëzve që s’e kuptojnë peshën e fjalës publike. Mjafton një titull “bombë” sensacionalist, një emër i njohur, një fotografi e shkëputur nga konteksti dhe për pak klikime e ku di dhe çka tjetër, dikujt i rrënohet imazhi.
E kjo nuk është gazetari. Është prostituim i informacionit. Është një parodi vulgare mbi një profesion që dikur ka pasur peshë, zë dhe dinjitet.
Askush nuk ka të drejtë të fshihet pas lirisë së fjalës për të ushtruar terror mediatik. Liria e shprehjes është një shtyllë themelore e demokracisë, por nuk është mburojë për shpifësit. Sepse kur gënjeshtra publikohet si lajm, kur një portal i panjohur sulmon pa prova dhe publiku i beson, dëmi është i pallogaritshëm dhe i pakthyeshëm. Në fund të ditës, nuk janë vetëm emrat në titujt që dëmtohen. Dëmtohet e vërteta. Dëmtohet besimi. Dëmtohemi të gjithë.
Dhe në gjithë këtë farsë, gjuha shqipe është viktima e parë. Në shumë prej këtyre “produkteve mediatike”, gjuha shqipe trajtohet me një neglizhencë alarmante dhe ky është një bastardim i dyfishtë: i gjuhës dhe i profesionit. Dhe ai ndodh në emër të një lirie që nuk nënkupton më përgjegjësi, por shfrytëzohet si alibi për të dezinformuar.
Gazetarë me një të folur shqip tejet të vandalizuar e të çoroditur, përzierje dialektesh të bastarduara dhe fjalësh të huaja të futura kuturu, me rrëmujë gabimesh drejtshkrimore, fjalor i varfër dhe i rreckosur dhe në fakt kur nuk respektohen as rregullat më bazike të sintaksës shqipe, kemi një problem shumë më të thellë se sa thjesht mungesa e profesionalizmit. Kemi të bëjmë me një krizë kulture. Një krizë identiteti.
Në gazetari, gjuha është gjithçka. Është mjeti dhe ura mes ngjarjes dhe lexuesit. Dhe në një kohë kur të rinjtë marrin informacion nga rrjetet sociale dhe portalet e dyshimta, ky bastardim i shqipes po bëhet model, dhe kjo është alarmante. Po u mësojmë brezave të rinj se është në rregull të shkruash pa menduar, të flasësh pa ditur, të “bësh lajm” pa përgjegjësi.
Nuk është kjo liria e shtypit. Kjo është abuzim me lirinë për interesa personale dhe politike dhe duhet të qartësohet diferenca mes gazetarëve dhe aktivistëve me laptop.
Nuk ka demokraci të shëndetshme aty ku gjuha përdoret për të helmuar, ku lajmi është porosi, dhe ku gazetaria shndërrohet në një kanal fushate për të ulur, njollosur e përçarë.
Në llogoret e informimit publik tek ne, gazetaria nuk vdes nga mungesa e lajmeve. Vdes nga mungesa e gjuhës, profesionalizmit dhe kodit qytetërues që identifikon një gazetar.
Përtej titujve, klikimeve dhe betejave politike, gazetaria është dhe duhet të mbetet mjet për të ndërtuar, jo për të shkatërruar dhe në këtë kontekst duhet të ruajmë thelbin e këtij profesioni: njeriun. Të bësh gazetari të mirëfilltë do të thotë të njohësh përgjegjësinë e çdo fjale, të mbash standardin e së vërtetës dhe të flasësh në një gjuhë që nderon publikun. Etika dhe ndjeshmëria njerëzore nuk janë luks në këtë profesion por janë themeli i tij.
Kush nuk i ka, nuk bën gazetari. Sepse gazetaria, para se të jetë zanat, është ndërgjegje. Dhe këta nuk janë gazetarë, por thjesht një tipologji e përdhosur e atyre që kanë kanalizuar vetveten për të bërë më të keqen. Por mjafton një “termët” intelektual me forcë 3 ballë që t’ju çjerrë maskat dhe të rrënojë ndërtimet e tyre të paqëndrueshme, të ngritura mbi gënjeshtra dhe interesa të errëta.
*Ditar i një shqiptareje nga Maqedonia e Veriut
Nga Liridona Beqiri*