Shqipëria do të luajë në datën 11 tetor një nga ndeshjet më të rëndësishme, ndaj Serbisë në Leskovac, nga e cila mund të përcaktohet rrugëtimi në kualifikueset e Kupës së Botës. Kjo ndeshje merr një rëndësi më të veçantë edhe për shkak të problemeve politike mes dy vendeve, por gjithashtu edhe ndaj situatës së krijuar 11 vite më parë, kur Shqipëria fitonte në tavolinë ndaj Serbisë, për shkak të trazirave që tiofozeria vendase shkaktoi pas dronit me Shqipërinë Etnike në stadium.
Sakaq, FSHF duket se ka marrë masa shumë më herët për këtë sfidë dhe është interesuar mirë që futbollistët të mos kenë asnjë koment për ndeshjen. Futbollistëve të Kombëtares sw Shqipërisë u është komunikuar që të shmangin intervistat dhe nëse japin intervista, kategorikisht janë të ndaluar të flasin për Kombëtaren dhe për ndeshjen me Serbinë.
Pas ndeshjes ndaj Letonisë, shumica e pyetjeve karshi futbollistëve, lidheshin me ndeshjen e ardhshme ndaj Serbisë dhe të shumtë ishin ata që deklaronin se do të jetë vetëm një ndeshje futbolli, duke shmangur komentet mbi mundësinë e trazirave apo edhe provokimeve. Duke qenë se këto ndeshje kaluan pa deklarata dhe gjërat duket se po shkojnë qetë, FSHF ka marrë masa që të mos agravohet situata në ditët në vazhdim, gjë që në fakt e mban larg shtypin nga lojtarët e Kombëtares së Shqipërisë. /Panoramasport/