Sot mbushen katër vite nga një prej ngjarjeve më të rënda që ka tronditur Maqedoninë e Veriut – tragjedia e zjarrit në spitalin modular të Tetovës, ku humbën jetën 14 persona. Objekti u shndërrua në hi për disa minuta, ndërsa familjet e viktimave mbetën të shkatërruara shpirtërisht përcjell INA.
Katër vite më vonë, përveç dhimbjes së madhe, ajo që mbetet edhe më e rëndë është mungesa e drejtësisë. Asnjë prej përgjegjësve realë nuk është prapa grilave, ndërsa proceset gjyqësore janë zvarritur e deformuar. Vendimi i rigjykimit i shpalli fajtorë vetëm dy ish-drejtorë të spitalit për mungesën e aparateve kundër zjarrit, me një dënim minimal prej 1 viti e 6 muaj burg. Askush nuk u gjykua për shkaqet e vërteta të zjarrit, i cili sipas ekspertëve lidhet me defekte elektrike dhe cilësinë e dobët të objekteve modulare.
Prokuroria Publike dhe ajo për Krim të Organizuar prej dy vitesh po zhvillojnë hetime të pafund për mënyrën e ndërtimit dhe tenderëve të spitaleve modulare, por deri më sot nuk ka asnjë epilog. Heshtja institucionale dhe prolongimet burokratike vetëm sa e thellojnë mosbesimin e qytetarëve ndaj sistemit të drejtësisë.
Kjo tragjedi, përveç humbjes së jetëve njerëzore, ekspozoi edhe fytyrën e vërtetë të shtetit: korrupsion, papërgjegjësi dhe mungesë të përgjegjësisë politike. Në vend se të kërkohej llogari nga ata që ndërtuan objekte pa standarde, familjet e viktimave u përballën me kompensime financiare – një përpjekje për të blerë heshtjen dhe për të mbyllur plagët me para.
Sot, në përvjetorin e katërt, Tetova dhe gjithë vendi përkujtojnë 14 viktimat, por edhe katër vite të humbura pa drejtësi. Kjo është një plagë e hapur jo vetëm për familjarët, por për gjithë shoqërinë që sheh si ndëshkohen të vegjlit dhe si shpëtojnë të mëdhenjtë.
Tragjedia e Tetovës nuk është vetëm një aksident – është pasqyrë e një sistemi të kalbur, ku përgjegjësit politikë fshihen pas gjyqeve të zvarritura, ndërsa qytetarët mbeten viktima të përhershme të korrupsionit dhe mosfunksionimit të shtetit.(INA)