Përgatitjet për sezonin e ardhshëm të ngrohjes qendrore janë në fazën përfundimtare. Edhe nga Shoqata Aksionare EMV por edhe kompania Enerxhi Ekoling, thonë se nëse për shkak të uljes eventuale të temperaturave, paraqitet nevoja, ato janë të gatshëm të fillojnë me furnizim të energjisë termike edhe nga data 1 tetor.
“Faktikisht prej më 1 tetor ne duhet të jemi të gatshëm për të filluar për shkak se moti është me temperatura të ulëta, neve duhet të fillojmë edhe më herët, normal me iniciativën e KRRE-së, jemi të gatshëm të fillojmë edhe me 1 tetor nëse duhet, edhe pse aktualisht sezoni fillon më 15 tetor. Jemi të gatshëm me atë që kemi mbush rrjetin tonë, ndërsa mbushjet e fundit, shkon uji edhe te objektet e kyçura tek ne”, tha Gzime Shllaku, Drejtoreshë Enerxhi Ekolink.
Edhe nga EMV theksojnë se po finalizojnë përgatitjet e kapaciteteve prodhuese dhe të sistemit të shpërndarjes.
“Kompanitë e formuara nga SHA EMV po i finalizojnë në mënyrë aktive përgatitjet e kapaciteteve prodhuese dhe të sistemit shpërndarës, me qëllim të sigurojnë furnizim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë me energji termike për të gjithë konsumatorët”, thonë nga Shoqata Aksionare EMV.
Sipas Rregullave për furnizim me energji termike, sezoni i ngrohjes fillon zyrtarisht më 15 tetor, dhe zgjatë deri më 15 prill, por varësisht prej kushteve të motit, ajo mund të fillojë 15 ditë më herët, dhe të përfundojë 15 ditë më vonë. Kompanitë bëjnë thirrje për kyçje sa më të madhe në sistemin e ngrohjes qendrore, pasi siç theksojnë, është mënyrë më e qëndrueshme dhe më ekonomike. / Alsat.mk