Kandidati për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, në një takim me qytetarët iu përgjigj akuzave se gjoja nuk ka punuar për Kosovën gjatë kohës kur ishte kryesues me OSBE, duke sjellë shembuj konkretë të angazhimit të tij dhe mbështetjes parimore për Kosovën.
“Flitej për mua se Bujar Osmani nuk ka punuar për Kosovën. Do t’ju them vetëm një fakt: Kosova nuk është anëtare e OSBE-së. Rregulli i OSBE-së është se, kur kryesuesi e viziton Prishtinën, nuk ka të drejtë as të mbajë konferencë për shtyp, as të shfaqet me flamurin e shtetit të Kosovës”, tha Osmani.
Në fjalimin e tij, Osmani zbuloi se personalisht i kishte shkelur protokollet e organizatës, me qëllim që qartë dhe pa mëdyshje të mbështeste Kosovën:
“Unë i shkelja ato protokolle të organizatës dhe jo vetëm që mbajta konferencë për shtyp në Ministrinë e Punëve të Jashtme, por këtë e bëra bashkë me flamurin e OSBE-së dhe flamurin e Kosovës”, tha ai.
“Edhe në Stacionin Policor të Kosovës mbajta konferencë për shtyp së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me flamurin e Kosovës dhe me flamurin e OSBE-së. Pra, këto janë faktet. Nuk i them këto për t’ju treguar sa i aftë apo i fortë jam, por për t’ju bërë me dije se kemi një debat mes një programi të vërtetë nga njëra anë dhe një propagande shpifëse nga ana tjetër”, theksoi Osmani.
Osmani paralajmëroi se një propagandë e tillë nuk është vetëm sulm ndaj tij personalisht, por krijon një imazh të rrezikshëm për tërë komunitetin:
“Kjo propagandë e dëmtoi aq shumë diskursin politik dhe krijoi një imazh të dëmshëm për ne, saqë në fund dëmton edhe imazhin e shqiptarëve para botës”, tha Osmani.
“Kush flet për Kosovën? Ata që vetëm dje thanë se lufta e vitit 2001 nuk solli asgjë, e bashkëpartiaku i tij, para një viti, tha se lufta ka qenë e panevojshme. Ata i kanë kaluar të gjitha vijat e kuqe”, përfundoi Osmani.