Në Muzeun e Artit Bashkëkohor, kandidati për Çair, Bujar Osmani, dhe arkitekti Michel Rojkind przantuan projektin “Vizioni Çair 2040”, përcjell TV21. Osmani tha se me këtë, Çairi merr një vizion të qartë dhe afatgjatë, një strategji dhe një plan zhvillimi që vendos në radhë të parë nevojat e qytetarëve. Plani parashikon infrastrukturë moderne të komunikacionit, sheshe të reja, parqe të gjelbra, hapësira publike dhe ambiente të sigurta për jetesë, lëvizje dhe shoqërim.
“Prezantuam vizion, prezantuam koncept, qasje. P.sh. si do të rregullohet çështja e qarkullimit të veturave në Çair, të cilat janë të ndërprera dhe ngulfaten njerëzit. Si do të ndërtohet çështja e dendësisë asimetrike. Dmth ne ofrojmë vizionin se ku duhet të jetë Çairi deri në 2040-tën. Nuk themi se kjo është program parazgjedhor që ne do ta kryejmë me një mandat, prandaj i tejkalon kornizat e mandateve politike, mirëpo nëse qytetarët e aprovojnë këtë vizion më 19 tetor, ajo do të thotë se ne kemi marrëveshje sociale me qytetarët për vizionin për Çairin, edhe i hymë kësaj pune dhe çdo hap, çdo gurë që e lëvizim, çdo ditë, do të jetë në kuadër të këtij vizioni”, tha Osmani.
“Një nga më të vështirat do të jenë rrugët, sepse rrugët krijojnë kaos. Kur i rregulloni rrugët, por kur ke një apo dy shembuj, ka një lloj arritje, të shpresës, për të shkuar përpara. Ka ndodhur në Shqipëri. Për këtë flas për fqinjët tuaj, sepse tashmë po ndodh atje. Ky model nuk është diçka që shohim nëse do të funksionojë, tashmë funksionon”, tha Rojkin.