Pas tetë vitesh, Maqedonia ka miratuar strategjinë kombëtare për zhvillimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), e njohur si SMART/MK2030, e cila paraqet udhërrëfyesin se si shteti do ta realizojë të ardhmen digjitale. Ky është një dokument nacional i harmonizuar me Dekadën Digjitale Evropiane dhe Agjendën e Zhvillimit, përcjell TV21. Strategjia bazohet në katër shtylla kryesore: infrastruktura e TIK-ut, kompetencat digjitale – me synimin që deri në vitin 2030 të paktën 70% e popullsisë të ketë aftësi digjitale, qeverisja elektronike dhe shërbimet publike, si dhe inteligjenca artificiale si shtylla e katërt.
“Si vend kandidat, Maqedonia pranon kornizën e Dekadës Digjitale Evropiane, e cila parasheh katër objektiva deri në vitin 2030: qytetarë të trajnuar digjitalisht dhe ekspertë të kualifikuar të TIK-ut, infrastrukturë të sigurt dhe të lidhur, shërbime publike të digjitalizuara dhe biznese të integruara digjitalisht. Strategjia jonë ndjek drejtpërdrejt këto prioritete evropiane, forcon konvergjencën institucionale me vendet anëtare, krijon mundësi për pjesëmarrje në programet digjitale evropiane dhe mundëson qasje në instrumente financiare dhe ndihmë teknike nga BE-ja”, tha Stefan Andonovski – Ministër për Transformim Digjital.