Uji i lumit Ibër ka depërtuar pas në mesnate në vendpunishten ku është duke u ndërtuar ura e re për këmbësorë që lidh veriun dhe jugun e Mitrovicës, duke shkaktuar vështirësi për ekipet e punimeve.
Kryeshef i ndërmarrjes “Ibër- Lepenci”, Faruk Mujka ka reaguar për rastin, duke thënë se ka pasur një rritje të papritur të nivelit të ujit në lumin Ibër e që ka shkaktuar dëme materiale në punishten e urës së re që po ndërtohet te tre rrokaqiejtë në Mitrovicë.
“Shkak i kësaj ngritjeje të nivelit është sasia e madhe e ujit në digën e Pridvoricës për shkak të reshjeve të shumta ditëve të fundit në rrjedhën e epërme të lumit si dhe të rrëshqitjes së kanalit te Zubin Potoku dhe nevojës emergjente që uji i tepërt nga kanali të bartet në lumë”, ka deklaruar ai.
Tutje, ai ka shkruar se “kemi ardhur në situatë të kalkulojmë dëmin më të vogël edhe pse edhe kjo e krijuar nuk është për tu nënçmuar .Me rëndësi është se konstruksioni i urës nuk është rrezikuar asnjëherë”.
“Duhet të sqarohet se nuk është dorë njeriu që ka kriju dëmin por dora e njeriut e ka minimalizuar dëmin e mundshëm shumë më të madh e afatgjatë. Aty në punishte për shkak të punimeve është krijuar një fyt i ngushtë i cili nuk ka mundur ta përcjellë nivelin e ardhur”, ka pohuar ai në reagimin në Facebook.
Ai shtoi tutje se niveli është stabilizuar brenda një ore dhe sot vazhdojmë me sanimin në kanalin kryesorë duke tentuar që niveli ujit të jetë sa më i kontrolluar”.
“Mirëmbajtja e nivelit minimal të ujit në lumin Ibër gjatë verës dhe vjeshtës ndryshon maksimalisht dhe fatkeqësisht mund të ndodh edhe një situatë e tillë sikur ajo mbrëmë. Ky rast të mos përdoret as për qëllime politike apo elektorale sepse nuk ka fare të bëj me to. Është thjeshtë çështje operacionale. Andaj edhe deklarimet të jenë të balancuara e posaçërisht nga operatori ekonomik për të cilin nga fillimi i Korrikut e kemi përgatitur planin e punës sonë pa marr parasysh nevojat reale dhe humbjet financiare të ndërmarrjes sonë. Me siguri se edhe ai ka pjesën e vetë të përgjegjësisë për mënyrën e organizimit të punishtes. I falënderojmë të gjithë për mirëkuptim me shpresë që të mos përsëritet më”.
Ndryshe, punëkryesi i projektit, Jahir Nimani, ka deklaruar se kjo situatë është ndërhyrje e qëllimshme njerëzore.