Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të pezullojnë pa afat dialogun strategjik të planifikuar me Kosovën, për shkak të shqetësimeve që lidhen me veprimet e fundit të Qeverisë në detyrë. Këtë vendim e bëri të ditur Ambasada amerikane në Prishtinë të premten, përmes një postimi në Facebook.
Sipas ambasadës, veprimet e ndërmarra nga Qeveria e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë kontribuar në rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë në vend, duke vështirësuar bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet dy vendeve për çështje me interes të përbashkët.
Nga ana tjetër, Qeveria në detyrë i ka kundërshtuar vlerësimet e SHBA-së, duke theksuar se veprimet e saj kanë qenë gjithmonë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, dhe janë ndërmarrë me qëllimin për të eliminuar burimet e destabilitetit dhe për të garantuar një stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë në vend.
Ndërkohë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar duke shprehur keqardhje dhe shqetësim të thellë për vendimin e Shteteve të Bashkuara që të pezullojnë dialogun strategjik me Kosovën.
Këot masa janë parë si sinjal serioz për shtetin tonë, ndonëse mënyra si është bërë – pa shpjegime dhe arsyet konkrete, ka lënë hapësirë për dyshime.
Një pjesë e opinionit mendon se qeveria është antiamerikane, ndërsa një pjesë tjetër dyshon se SHBA po pozicionohet pranë Serbisë.
E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” folën njohësit e çështjeve politike e ndërkombëtare.
Geci: Amerika i mbylli bisedimet me Kosovën dhe i dërgoi mesazh të qartë Serbisë
Si fillim, për këtë temë, foli Halil Geci i cili pezullimin e dialogut e pa nga një këndvështrim tjetër.
Ai në bashkëbisedimin me “Bota sot” më shumë e vlerësoi si një mesazh për Serbinë, se sa për Kosovën.
“Mbyllja e dialogut me Kosovën nga Ambasada Amerikane në Kosovë është një mesazh i qartë për Serbinë: a po rrinë urtë apo po ta luajmë namin?
Pasi Serbia nuk i mban fjalët, nuk i zbatojë marrëveshjet dhe ikën nga bisedimet, pa një përgjigje të tillë nuk ka çfarë të dialogojmë as me Kosovën”.
Krahas kësaj, ai vlerëson se ky është mesazh që bisedimet me Kosovën kanë përfunduar dhe se fuqitë e mëdha qëndrojnë pranë shtetit tonë.
Po ashtu, tha se është edhe paralajmërim i fortë për Serbinë.
“Mesazhi tregon se me Kosovën bisedimet janë përfunduar. Ky mesazh ka më shumë rëndësi për Serbinë se sa për Kosovën, përmes këtij mesazhi Ambasada Amerikane i ka treguar Serbisë se fuqitë e mëdha qëndrojnë pranë Kosovës, duke dërguar një paralajmërim të qartë: nëse prek Kosovën, të prekë Rusia të ftohtë (akull).
Kjo tregon se rruga e Serbisë pranë Rusisë, Koresë së Veriut dhe Kinës do të ketë pasoja të rënda”, përfundoi Halil Geci për “Bota sot”.
Shabani: Marrëdhënia e SHBA-së me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët
Kurse, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani vlerësoi se ky nuk është sinjal i mirë për vendin tone.
Ai në bashkëbisedimin e tij me ‘Bota sot’ theksoi se, pavarësisht kësaj raportet Kosovë-SHBA bazohen në forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomi.
“Fatkeqësisht, pezullimi i marrëdhënieve të SHBA-së me Kosovën, gjegjësisht ndërprerja e Dialogut Strategjik, është një ndër sinjalet më të pafavorshme për Kosovën në raport me aleatin e saj kryesor, siç është SHBA-ja.
Marrëdhënia e SHBA-së me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve”.
Gjithashtu, ai vlerëson se shkaku kryesor i këtij pezullimi është moskonstituimi i Kuvendit, gjë që sipas tij bllokada në fjalë e ka shtyrë SHBA të marrë vednim të tillë.
“Kujtojmë se ngrirja e konstituimit të Kuvendit për gati se 7 muaj, ndërprerja e vizitave të zyrtarëve amerikanë dhe evropianë në Kosovë, ka bërë që ambasada amerikane në Prishtinë të merr vendimin e pezullimit të Dialogut Strategjik i cili ka pasur për qëllim forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe diplomatike.
Pra, ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj”, shpjegoi ai.
Në fund, përmendi disa shtete me të cilat SHBA ka zhvilluar dialog strategjik.
“Bazuar në informacionet nga Departamenti i Shtetit, SHBA-ja ka zhvilluar dialog strategjik gjatë viteve të fundit me: Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Rumaninë, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Moldavinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Katarin, Omanin, Bahrejnin dhe Egjiptin”, përfundoi Amir Shabani për “Bota sot”.