Shkruan: Anesa Bajrami
Premtime të harruara, qytetarë të zgjuar
Historia politike e vendit tonë është bërë si një rreth që s’ka fund.
Sa herë afrohen zgjedhjet, sheshet mbushen me premtime madhështore: drejtësi, zhvillim, punësim, përfaqësim dinjitoz.
Por sapo mbaron fushata, premtimet treten, ndërsa realiteti i qytetarëve mbetet i njëjtë, i vështirë, i padrejtë, i pashpresë.
E kemi përjetuar këtë. Dikur një parti mori besimin tonë për dekada, por na ktheu vetëm lodhje e zhgënjim.
Sot, edhe ata që flasin për “ndryshim”, po ndjekin të njëjtën rrugë: shumë fjalë, pak vepra.
Dhe qytetarët pyesin me të drejtë: “Çfarë keni bërë ndryshe nga ata që i kritikuat?”
Por koha e naivitetit duhet të përfundojë.
Qytetarët duhet të jenë më të vetëdijshëm se kurrë.
Vota nuk duhet të jetë më një dhuratë për politikanët, por një mjet për të kërkuar llogari.
Shpresa nuk lind nga fjalët e bukura, por nga rezultatet konkrete.
Nëse politika nuk e kupton këtë, atëherë është e dënuar të humbasë.
Sepse qytetarët nuk duan më premtime të pambajtura, duan përgjegjësi dhe vepra.
Dhe ky është mesazhi më i fuqishëm që një shoqëri mund t’i japë politikës: nuk jemi më spektatorë, por aktorë të së ardhmes sonë.
Ashtu si një biçikletë që, për të mbajtur ekuilibrin, duhet të lëvizë, edhe ne nuk mund të jemi viktima të pushtetit; duhet ta mbajmë ekuilibrin duke qëndruar të fortë, stoikë dhe duke shmangur stagnimin.
Mjaft ju dëgjuam, ne duam drejtësi, jo që të përfitoni ju.
Ne nuk duhet të heshtim, sepse heshtja është bashkëfajësi.
Nuk duhet të jemi as spektatorë, as bashkëpunëtorë, por autorë që do ta shkruajmë vetë librin tonë.