Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur hetimet pas pretendimeve se në Komunën e Junikut, në rundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor votuan persona që nuk janë banorë të kësaj komune. Nga Prokuroria thanë se po shikohet nëse ka elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale që ndërlidhet me keqpërdorimin e detyrës zyrtare. “Pasi kemi pranuar informacionet se ka pasur persona që nuk kanë qenë të Komunës së Junikut dhe kanë votuar në proces zgjedhor. Ne si Prokurori, përkatësisht kryeprokurorja [Lumturije Vuçetaj] ka përpiluar shënim zyrtar dhe njëkohësisht e ka deleguar rastin në Departamentin e krimeve të rënda, për të marrë veprime të mëtejme, për t’i sqaruar të gjitha rrethanat dhe për të parë nëse ka elemente të veprës penale. Eventualisht, nëse ka elemente të veprës penale që ndërlidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare apo ndonjë vepër tjetër të merren veprimet ligjore konform Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikqi.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, një ditë më parë shkroi në Facebook se qytetarë nga qytete të tjera “në mënyrë shumë të organizuar janë regjistruar si votues të Junikut”, duke kërkuar që të hetohet ky rast. “KQZ duhet ta publikojë listën zgjedhore të kësaj komune, pasi kjo është shumë e qartë si skemë e dominimit numerik kriminal”, shkroi Haradinaj. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Junik të drejtë vote për zgjedhjet lokale të 12 tetorit kishin 4.846 persona. Nga ta, votuan 2.490 persona.