Profesori i Universitetit të Evropës Juglindore (SEEU), Prof. Dr. Veland Ramadani, i cili mban titullin Profesor i Sipërmarrjes dhe Biznesit Familjar në Fakultetin e Biznesit dhe Ekonomisë, është përfshirë për të gjashtën herë me radhë në mesin e TOP 2% të studiuesve më të cituar në botë, sipas vlerësimit prestigjioz të Stanford University në bashkëpunim me shtëpinë botuese shkencore Elsevier.
Përveç këtij suksesi të radhës, këtë vit Prof. Dr. Ramadani është përfshirë për herë të parë edhe në listën prestigjioze “List of Career”, e cila analizon punën dhe kontributin e shkencëtarëve nga viti 1788 deri në vitin 2024, duke evidentuar figurat më të rëndësishme në shkencën botërore ndër shekuj.
“Ky vlerësim është një motivim i madh për të vazhduar me përkushtim në kërkime shkencore dhe për të dhënë kontribut të qëndrueshëm në avancimin e dijes”, u shpreh Prof. Dr. Veland Ramadani, duke shprehur mirënjohje të veçantë për kolegët dhe bashkëpunëtorët që kanë vlerësuar dhe vazhdojnë të vlerësojnë punën e tij.
Prof. Dr. Ramadani është një nga studiuesit shqiptarë më të njohur në fushën e sipërmarrjes, bizneseve familjare, inovacionit dhe qëndrueshmërisë, me qindra citime dhe punime shkencore të publikuara në revista prestigjioze ndërkombëtare. Si autor dhe bashkautor, ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e literaturës shkencore mbi sipërmarrjen dhe rolin e saj në ekonomitë në zhvillim.
Ky sukses është një dëshmi e fuqishme se akademikët shqiptarë po kontribuojnë denjësisht në shkencën botërore, duke ngritur lart emrin e universiteteve shqiptare në arenën ndërkombëtare.(INA)