Profili Sekret i Kryetarit të Ri të PDK-së

Picture of INA
INA

18/11/2025

Shkruan: Kimete Berisha

(Portret metafizik nga Ëndrra e Pestë)

1. Profili i përgjithshëm

Në faltoren e tij të largët në Bengal, ku gjethet e pemëve lëkunden pa erë dhe murgjit e rinj flenë në këmbë,
Jallah Baba i Stepave Lindore ka hapur pergamenat e tij, dhe pa kërkesë nga askush, ka dhënë profilin e kryetarit të ri të PDK-së.

Sipas mësimeve të mistershme të Babait, Orakull i famshëm që flet vetëm në tri gjuhë dhe përgjigjet vetëm kur nuk e pyesin,
Bedri Hamza është njeriu që duket i matur sepse nuk flet;
dhe duket i thellë sepse nuk kundërshton.

Bedri Hamza është njeriu që, kur futet në dhomë, askush nuk e vëren, derisa ai e vëren situatën i pari.
Ka aftësi të jashtëzakonshme për të mos bërë asgjë dhe për të lënë përshtypjen se është “i urtë’.

Sipas Orakullit, ai është njeriu që krijon autoritet në heshtje, por jo nga thellësia: nga lodhja.

Heshtja është mënyra më e thjeshtë për të mos marrë përgjegjësi.

Në qendër të pergamenës shkruhej vetëm një fjali:

“Ky njeri është më i rrezikshëm kur nuk bën asgjë.”

Sipas Jallah Baba, beduinëve të shkretëtirave të vjetra u është mësuar një shprehje:

“Rreziku vjen prej atij që flet pak, sepse ti nuk e di kurrë nëse është i urtë, apo thjesht i lodhur.”

Në rastin e Bedri Hamzës, heshtja përkufizohet si:
“Dembelizëm ceremonial i keqkuptuar për mençuri.”

Ndër tiparet e këtij profili, Baba-i paralajmëron se qetësia e tij e jashtme është:
• apati e rafinuar,
• kotësi meditative,
• apo mençuri e heshtur e llojit “mos më përzieni”.

Orakulli thotë:
“Ai njeri që duket i thellë, mund të jetë duke menduar thjesht…për ndonjë femër.”

2. Aftësitë e fshehta

– E ka të lindur talentin për të heshtur strategjikisht, derisa të
tjerët prishen me njëri-tjetrin.

– Mund të rrijë dy orë pa folur, pa lëvizur, pa dhënë mendim dhe prapë konsiderohet si “njeriu më i mençur në takim’.

– Ka memorie financiare: e mban mend çdo numër, por harron çdo fytyrë.

Orakulli thekson:
– Ky njeri udhëheq me heshtje, jo me vizion.
– Sepse, personat e kësaj strukture qiellore, praktikojnë heshtje ekonomike.

3. Dyshimi i tij legjendar

Jallah Baba i Stepave Lindore thotë:

“Ky njeri, edhe kur i thua ‘mirëdita’, pyet veten:
Në ç’mënyrë ‘mirëdita’?
Dyshimi i tij është aq i hollë, sa që i beson vetëm…vetes.
Dhe edhe aty rri me rezerva.

Orakulli shkruan se Bedriu është i tipit që, po ia vendose një pushtet mbi tavolinë, ai nuk e prek menjëherë.
E shikon për disa muaj,
e analizon si Gjon Buzuku dorëshkrimin dhe pastaj thotë:

“Mirë, po e marr.”

4. Lloji i ambicies

Nuk ngutet të arrijë majën, por e gërryen kodrën ngadalë derisa maja i bie në prehër.

Ky profil karakteriozohet nga ambicia e çuditshme: të ngjitet lart, duke mos lëvizur.

Jallah Babai thotë:
“Ka njerëz që ndjekin fitoren. Ka të tjerë që e presin fitoren, ulur.”

Hamza i takon kategorisë së dytë.

5. Durimi i gjatë

Karakteristikë e njerëzve që nuk kanë ku të shkojnë

Orakulli shpjegon se njerëzit me këtë konstelacion janë të përkryer për udhëheqje, sepse kanë kohë.

Baba-i thotë se ky njeri mund të presë nëntë vjet për një vendim, pa ndryshuar pozicion, pa hapur sy, as qepalla.

6. Logjika

Jallah Baba konstaton se ky njeri mund të llogarisë një buxhet shtetëror pa kalkulator.
Por nuk mund të llogarisë pse njerëzit e marrin personale që ky i trajton me heshtje.

7. Marrëdhënia me pushtetin

Bedri Hamza nuk e kërkon pushtetin me zhurmë.
Ai e pret pushtetin.
Nëse nuk i vjen vetë, nuk çohet ta marrë.

Është njeriu i vetëm që mund të hyjë në histori për faktin se nuk bëri asnjë luftë për kreun e partisë, as në zyrë, as me mendime.

Jallah Baba shkruan:
“Bedriu nuk kërkon kurorë, por kurora e kërkon atë.”

Kjo është arsyeja pse ka fituar.
Ai nuk bërtet, nuk premton, nuk dramatizon.
Thjesht rri i qetë.
Aq qetë, sa njerëzit fillojnë të kenë nevojë për të.

(Dhe nëse Hamza jep dorëheqje ndonjëherë, arsyeja do të mbetet sekret. Edhe për të.)

8. Strategjia e tij themelore

Prit derisa të lodhen të tjerët.

Sipas Orakullit, tipat si Hamza nuk hyjnë në beteja.
Ata rrinë, dëgjojnë, rrinë prapë…dhe në fund, kur të gjithë të tjerët janë rraskapitur, lodhur, grindur, ose dorëhequr, ata shfaqen qetësisht dhe marrin postin.

Baba-i shkruan:

Në terma perëndimor:
“It’s the turtle method.”

Në lindje:
Metoda e shpëtimit përmes mosveprimit.

9. Aftësi të rralla:

– I mungon iniciativa, por jo dëshira që iniciativa të vijë te dera vetë.

– Kur të tjerët flasin për reforma, ai mendon:
“Le të reformohen vetë…pastaj i shikoj.”

– Ka durim biblik: ai nuk nxiton të marrë vendim derisa situata të zgjidhet vetë.

(Në këtë mënyrë, Bedriu rrallë ka gabuar, sepse rrallë ka vepruar.)

10. Ana e errët e Bedri Hamzës

Sipas Jallah Baba i Stepave Lindore, energjia e tij ka tre shtylla themelore:

– Dyshimi

Bedriu dyshon te të gjithë.
Jo për arsye politike, për arsye…sekrete.
Madje edhe kur i ofron dikush çaj, ai mendon:
“Pse çaj e jo kafe? Pse sot?”

E ka dyshimin si sistem sigurie.
Ky njeri të analizon edhe kur i thua “Kryetar”
Për të, “Kryetar” mund të nënkuptojë:
– një puç,
– një kërkesë,
– një buxhet i fshehur.

Dyshimi i tij është metodik.
Ai nuk i beson askujt në ditën e parë,
dhe as në të dytën…
as në të dhjetën.
Pastaj, kur më në fund beson, është tepër vonë, ti nuk e beson më.

– Xhelozia e heshtur

Nuk është xhelozi që shpërthen.
Është xhelozia e atij që e mban brenda si depozitë bankare.

Orakulli thotë:
“Xhelozia e Bedriut nuk shprehet. Ajo amortizohet.”
Në heshtje.

Jo për dashuri.
God forbid.

Xhelozia e tij është profesionale:

Nëse ti punon shumë, Bedriut i lind dyshimi:
“Pse ky me kaq vrull?”
Nëse ti nuk punon fare, ai pyet veten:
“Pse dukesh kaq i relaksuar?”

– Hakmarrja e matur

(Sipas pergamenave të Orakullit, të gjetura te një raft me erë tambli të vluar)

Ai nuk hakmerret shpejt.
As me inat.
As me dramë.
Ai hakmerret në mënyrën më të frikshme të mundshme:
nuk të harron.
Nuk të përmend.
Nuk të kundërshton.
Thjesht pret momentin kur ti gabon vetë, dhe atëherë thotë:
“E kam ditur.”

Hakmarrja e tij është raport financiar.

– Orakulli shkruan, pa asnjë buzëqeshje:

“Ky njeri nuk hakmerret me zhurmë.
Hakmerret me heshtje.”

Nuk është hakmarrje klasike.
Është hakmarrje ekonomike, e matur, me laps dhe letër:
– “E pamundur të gjejmë fondet për këtë.”
– “Kjo kërkon kohë.”
– “Do ta shqyrtojmë.”
– “Fatkeqësisht nuk plotësohen kushtet.”

Heshtje.
Dhe një dosje që humbet në një sirtar.

11. Pse është perfekt

Për t’i udhëhequr njerëzit që ndjehen të humbur.

Jallah Baba e përshkruan këtë profil si udhëheqës ideal për struktura që:
janë të lodhura,
– duan qetësi,
– kanë mall për disiplinë,
– dhe kërkojnë dikë që s’i bezdis me ide të reja.

Në këtë kuptim, kozmikisht, Bedri Hamza është përshtatja më natyrale që mund të ndodhë sot.

12. Fati i tij politik sipas Orakullit

Jallah Baba e përmbyll me këtë thënie:

“Në vendet ku njerëzit flasin shumë, fiton ai që flet pak.
Në vendet ku njerëzit punojnë pak, fiton ai që lodhet pak.”

Në përkthim politik:
Kryetari i ri i PDK-së është njeriu ideal për ta drejtuar një parti që nuk e ka me nxitim punën.

13. Parashikimi i Orakullit

“Bedriu nuk shtyn lumin… pret derisa lumi të kthehet vetë drejt tij.”

Nëse PDK do qetësi,
Hamza është dikush që do ta ruajë qetësinë.
Nëse PDK do lëvizje,
duhet ta lëvizë dikush tjetër.

– Në fund të pergamenës shkruante me shkronja të vogla:
(धूल सब जानती है) (Dhul sab jaanti ha – Pluhuri i di të gjitha)

Pa numër.
Hapi i parë i Bedri Hamzës si Kryetar:

I hoqi vijat e kuqe me Albinin.
Jo pse ndryshoi politika, por se vijat kërkojnë mirëmbajtje, e ai s’e ka në qejf punën e dorës.

P.S. Somebody called me Luna…
dhe ti e di çfarë ndodhi pastaj.

TË FUNDIT

ASH e Selës largohet nga AKI: Do të veproj si parti autonome

Xhaka fishkëllohet në “Fadil Vokrri”, kapet keq me kreun e “Dardanëve”

E pabesueshme, një banor lë shtëpinë e Big Brother pas vetëm një nate të kaluar

Leonora opinioniste në Big Brother Vip Kosova, vjen reagimi i Arbana Osmanit

Zyrtarizohen katër kundërshtarët e mundshëm të Kosovës në fazën e ‘play-off’-it

Debakël në Kardif: Maqedonia pëson 7-1 nga Uellsi, s’ka “play off”

ME TE LEXUARA

1
ASH e Selës largohet nga AKI: Do të veproj si parti autonome
1
Xhaka fishkëllohet në “Fadil Vokrri”, kapet keq me kreun e “Dardanëve”
1
E pabesueshme, një banor lë shtëpinë e Big Brother pas vetëm një nate të kaluar
1
Leonora opinioniste në Big Brother Vip Kosova, vjen reagimi i Arbana Osmanit
1
Zyrtarizohen katër kundërshtarët e mundshëm të Kosovës në fazën e ‘play-off’-it

LEXO MË SHUMË

ASH e Selës largohet nga AKI: Do të veproj si parti autonome

Xhaka fishkëllohet në “Fadil Vokrri”, kapet keq me kreun e “Dardanëve”

E pabesueshme, një banor lë shtëpinë e Big Brother pas vetëm një nate të kaluar

Leonora opinioniste në Big Brother Vip Kosova, vjen reagimi i Arbana Osmanit

Zyrtarizohen katër kundërshtarët e mundshëm të Kosovës në fazën e ‘play-off’-it

Debakël në Kardif: Maqedonia pëson 7-1 nga Uellsi, s’ka “play off”