Në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup, u mbajt dje ceremonia promovuese e librit “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, vepër e studiuesit dhe publicistit Shkëlzen Gashi.
Ngjarja u organizua nga Ambasada me qëllim të nxitjes së kujtesës historike dhe afirmimit të së vërtetës mbi krimet e kryera ndaj popullsisë civile shqiptare gjatë luftës në Kosovë. Promovimi mblodhi përfaqësues të institucioneve, përfaqësues të shoqërisë civile, akademikë, studentë dhe të interesuar të tjerë nga fusha e historisë dhe drejtësisë tranzicionale.
Në kuadër të aktivitetit, panelistët e ftuar paraqitën qëndrimet e tyre mbi rëndësinë e dokumentimit të krimeve të luftës, rolin e kujtesës kolektive në procesin e pajtimit, si dhe nevojën për edukimin e brezave të rinj me fakte të verifikuara historike.
Autori Shkëlzen Gashi foli për motivet dhe sfidat e përgatitjes së librit, si dhe për metodologjinë e mbledhjes së dëshmive e dokumenteve që ndriçojnë të vërtetën për periudhën e viteve 1998–1999 në Kosovë.
Ngjarja u shoqërua me diskutime interaktive mes panelistëve dhe pjesëmarrësve, ku u ngritën pyetje dhe u ndanë reflektime për domosdoshmërinë e një narrative të bazuar në fakte në funksion të drejtësisë dhe pajtimit afatgjatë në rajon.
Promovimi i librit “Masakrat në Kosovë 1998–1999” u vlerësua si një kontribut i rëndësishëm në ndriçimin e të kaluarës dhe në ruajtjen e kujtesës historike të shoqërisë kosovare.(INA)