Fitorja e Shqipërisë ndaj Letonisë me rezultatin 1-0, mban gjallë shpresat për një vend në Kupën e Botës. Në përfundim të ndeshjes së zhvilluar në “Air Albania”, mesfushori Qazim Laçi u shpreh se një barazim në Beograd nuk do të ishte keq, megjithatë shtoi se skuadra do të luftojë vetëm për fitore.
Fitore e rëndësishme por edhe shumë raste. Një koment për ndeshjen?
Kemi folur me çunat dhe duhej fituar kjo ndeshje me patjetër. Kemi parë tani edhe rezultatin e Anglisë dhe e kemi në dorën tonë. Duhet ta festojmë këtë dhe të harrojmë shpejt sepse na pret ndeshja me Serbinë.
A e mposht dot kjo skuadër Serbinë?
Besoj se po. Ndeshjen e parë në Tiranë dhe me çfarë kemi treguar, i kemi mundësitë. Nuk duhet të jemi euforikë. Duhet të shkojmë me mend dhe të bëjmë më të mirën për të fituar ndeshjen.
A do e kishit firmosur që sot barazimin në Beograd?
Të them të vërtetën nuk do të ishte keq një barazim. Por ne e kemi në dorë. Do të shkojmë atje për të marrë fitoren.
Shqipëria krijon shumë por nuk shënon. Çfarë nuk po shkon?
E vërtetë dhe jam dakord me ju. Serbia dhe Letonia janë me 5 mbrojtësa. U munduam dhe mungon finalizimi. Ndoshta mungon pak ajo dëshira për të hyrë në zonë dhe për të goditur por besoj do të rregullohet në ndeshjen me Serbinë kjo gjë.