Në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) është zhvilluar një takim i rëndësishëm mes përfaqësuesve të Odës dhe kandidatëve për kryetarë komunash nga koalicioni AKI. Në këtë takim morën pjesë Erkan Arifi, kandidat për Komunën e Likovës, dhe Blerant Ramadani, kandidat për Komunën e Sarajit.
Nga ana e OEMVP-së, të pranishëm ishin ushtruesi i detyrës së kryetarit Nuhi Aliu, drejtori ekzekutiv Durim Zeqiri, kryetari i nderit Dauti dhe menaxherja operative Miranda Ajdini. Takimin e hapi z. Aliu, i cili prezantoi “Platformën për Zhvillim Ekonomik Lokal”, një dokument strategjik që përmbledh kërkesat kryesore të komunitetit të biznesit dhe synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.
Gjatë takimit u theksua se zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik në nivel lokal kërkon përfshirjen aktive të të gjitha palëve, si dhe krijimin e kushteve të favorshme për funksionimin dhe rritjen e bizneseve.
OEMVP njoftoi se, në kuadër të traditës së saj, do të vazhdojë me takime të ngjashme me subjekte të tjera politike, me qëllim që përmes dialogut të drejtpërdrejtë të përcillen prioritetet dhe qëndrimet e komunitetit të biznesit në raport me zhvillimin ekonomik lokal.