Komisioni Europian ka miratuar Pakon vjetore të Zgjerimit, ku vlerësohet progresi i vendeve kandidate dhe aspirante drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në raportin për Maqedoninë e Veriut, BE-ja nënvizon se vendi duhet të ndërmarrë veprime të shpejta dhe vendimtare për të përmbushur kriteret e hapjes së grupkapitullit të parë të negociatave, përcjell INA.
Në dokument theksohet se Shkupi duhet të miratojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese për përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e popujve të tjerë, përfshirë bullgarët, siç parashikohet në Konkluzat e Këshillit të BE-së të korrikut 2022.
Komisioni konstaton gjithashtu se nuk ka pasur progres të mjaftueshëm në fushën e sundimit të ligjit, duke kërkuar nga autoritetet maqedonase të forcojnë pavarësinë dhe integritetin e sistemit gjyqësor dhe të rrisin përpjekjet në luftën kundër korrupsionit.
BE-ja thekson se përparimi në këto fusha do të ndikojë drejtpërdrejt në shpejtësinë e procesit të pranimit të Maqedonisë së Veriut në Union dhe mbetet thelbësor për avancimin e negociatave.
Raporti i plotë për Maqedoninë e Veriut
Maqedonia e Veriut vazhdoi punën në udhërrëfyesit për sundimin e ligjit, reformën e administratës publike dhe funksionimin e institucioneve demokratike, si dhe në planin e veprimit për mbrojtjen e pakicave. Nevojiten veprime të mëtejshme të shpejta dhe vendimtare mbi kriteret e hapjes, në përputhje me kornizën negociuese, me qëllim hapjen e grupkapitullit të parë sa më shpejt të jetë e mundur dhe kur të përmbushen kushtet përkatëse. Maqedonia e Veriut duhet të intensifikojë përpjekjet për të mbështetur sundimin e ligjit, duke mbrojtur pavarësinë dhe integritetin gjyqësor, dhe duke forcuar luftën kundër korrupsionit. Vendi gjithashtu duhet të miratojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e popujve të tjerë, siç janë bullgarët, siç përshkruhet në Konkluzat e Këshillit të korrikut 2022, të cilat vendi u zotua t’i nisë dhe t’i arrijë.(INA)