Reshat Ibrahimi/Open TV
Ramush Rushiti, nga Çerkezi i Kumanovës në fundvitet e 80-ta nga shekulli i kaluar ishte shpërngulur në qytetin e Prizrenit.
Në vitin 2006, ai e kishte themeluar klubin e basketbollit “Junior-06”.
Me këtë klub ka arritur të fitoj titujë të shumtë kampionësh me grupmosha të ndryshme (meshkuj dhe femra). Nga ky klub kanë dalë lojtarë cilësorë që sot luajnë për klube të ndryshme në Kosovë, por edhe jashtë saj.
Njëri ndër ta është Erxhan Osmani, ylli i ri në Eurobasket 2025, që shkëlqeu me Turqinë, duke u shpallur nënkampion europian.
Po kush është Erxhan Osmani, shqiptari që i solli medalje të argjendtë Turqisë, lexojeni rrëfimin për Open-TV të Ramush Rushitit.
“Ai ka nisur me basketboll si 11 vjeçar në klubin tonë KB Junior 06 Prizren të basketbollit, në moshën 13 vjeçare e kemi dërguar në prova në Turqi te Efes Pilsen dhe Bambit, i cili më vonë bankrotoi, më duket, nuk e di cka ka ndodh me këtë klub. Tani Erxhani luan për Efes Pilsen dhe për kombëtarën e Turqisë. Përndryshe është i lindur në vitin 1988. Vjen nga Bajram Curri nga Tropoja”, rrëfen Rushiti për Open-TV.
“Ai ka vijuar shkollimin në Prizren në shkollën gjermane dmth deri në shkollë të mesme. Ai pati ardhur nga Bajram Curri në Prizren në fillim të klasës së gjashtë.
Kontaktet e para i kam pasur me ish-lojtaren time, e cila insistonte që ta merrja në klub, sepse ky djal ishte i gjatë, ne kishim një ekip të mirë. Dhe, unë kontaktova përmes asaj vajzës dhe mandej me familje dhe drejtorin e konviktit, ish basketbollisti im nga Bashkimi i Prizrenit, Arianit Collaku. Me lejen e Arianitit unë për dy vjet e kam marrë nga shkolla për në stërvitje dhe e kam kthyer sërish në konvikt. Pastaj, ai në vitin 2013, shkoi në prova dhe tani është në këtë nivel siç është”, përfundoi rrëfimin e tij për Open-TV, Ramush Rushiti. (Open-TV)