Shqipëria luan “finalen” e saj të madhe përballë Serbisë, ku një fitore historike e kuqezinjve, do t’i jepte një shtysë më të madhe të besuarve të Sylvinhos për të siguruar vendin e dytë që të çon në Play Off”-et e Botërorit 2026.
Ekipi Kombëtar mbërriti në Nish këtë të premte, aty ku u prit nga forca të shumta policore, të cilat shoqëruan skuadrën nga pista e uljes direkte në hotel.
Në orën 16:30, trajneri Sylvinho dhe mbrojtësi Elseid Hysaj dolën në konferencë për mediat, të cilët shprehën të njëjtin qëllim, fitoren kundër serbëve.
Gjatë seancës së fundit stërvitore në stadiumin “Duboçiça”, mungonte flamuri shqiptar, ndërsa forcat policore vijonin të rrethonin perimetrin e stadiumit.
Sfida starton të shtunën në orën 20:45 dhe do të keni mundësinë ta ndiqni drejtpërsëdrejti në DigitAlb.
Një episod i veçantë ndodhi gjatë konferencës për shtyp të trajnerit të kombëtares shqiptare, Sylvinho, përpara përballjes me Serbinë.
Përgjegjësi i Zyrës për Shtyp në Federatën Shqiptare të Futbollit, Fatjon Kodra, ndërhyri për të korrigjuar deformimet që po bëheshin në përkthimin e deklaratave të teknikut brazilian.
Gjatë transmetimit të deklaratave, Kodra vuri re se disa gazetarë serbë po transmetonin version të shtrembëruar të fjalëve të Sylvinhos, të cilët e theksonin se trajneri i Shqipërisë ulte skuadrën serbe.
Ai kërkoi menjëherë që përkthimi të ishte i saktë dhe në përputhje me atë që trajneri kishte thënë realisht.