Shkruan: Sanja Kljajiq
Kriza politike në Serbi ka hyrë në muajin e njëmbëdhjetë, ndërsa vëmendja po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt Brukselit. Parlamenti Evropian e ka dënuar ashpër pushtetin në Beograd, duke i kërkuar Komisionit Evropian një përgjigje më të fortë. Pas gati një viti krizë, pritshmëritë janë që fjalitë e zakonshme nga Brukseli për “monitorimin e situatës” të shndërrohen në veprime konkrete dhe presion mbi pushtetin e Aleksandar Vuçiqit.
Për momentin, kritikat më të zëshme vijnë nga Parlamenti Evropian. Në seancën plenare në Strasburg, më 9 shtator, u mbajt një debat nën titullin: “Valë dhune dhe përdorimi i vazhdueshëm i forcës kundër demonstruesve në Serbi”. Shumica e deputetëve e dënuan pushtetin në Beograd, duke e akuzuar për autoritarizëm dhe dhunë ndaj qytetarëve, ndërsa kërkuan një reagim më konkret nga Komisioni Evropian.
“Brukseli nuk duhet t’i ofrojë Vuçiqit karota në mënyrë që ai t’i ndajë shkopinjtë për qytetarët e tij”, tha raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula.
Kritika erdhën edhe nga shumica e deputetëve të Partive Popullore Evropiane (EPP), grup politik ku bën pjesë edhe Partia Përparimtare Serbe (SNS). Madje, kreu i tyre, Manfred Weber, paralajmëroi para seancës se në ditët e ardhshme do të diskutohej mbi anëtarësimin e SNS në këtë grupim.
Deputeti i EPP, Davor Ivo Shtir, megjithatë, krahas kritikave ndaj pushtetit në Serbi, adresoi akuza edhe ndaj “nacionalizmit” tek demonstruesit.
“Problemet në Serbi janë shumë më të thella, ato janë strukturore dhe përfshijnë edhe një pjesë të opozitës dhe të lëvizjes studentore. Kjo u bë e qartë në qershor, gjatë mitingut të madh në Beograd. Radio Evropa e Lirë e përshkroi atë tubim me titullin: ‘Nacionalizmi e mbizotëroi luftën kundër korrupsionit’”, tha Shtir.
“Të gjelbrit plehra”
Deputetët evropianë ishin të njëzëshëm në dënimin e fjalëve të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili e quajti disa herë delegacionin e të Gjelbërve evropianë si “plehra”, duke u kërcënuar se do t’i ndiqte penalisht.
Bashkëkryetarja e të Gjelbërve, Vula Ceci, dhe eurodeputeti Rasmus Nordkvist, vizituan javën e kaluar Serbinë dhe morën pjesë në një protestë në Novi Sad, e cila përfundoi me ndërhyrje të dhunshme të policisë, pas së cilës reagoi edhe presidenti Vuçiq.
“Disa plehra u mblodhën atje, plehra që nuk mund të qeverisin as në vendet e tyre”, tha Vuçiq, duke shtuar: “Ata që vijnë nga jashtë për ta rrëzuar Serbinë duhet ta dinë se do të luftojmë më fort se ç’e mendonin.”
Ceci u kundërpërgjigj duke thënë se Vuçiq kishte kaluar çdo kufi të diskursit demokratik.
“Ajo që pamë ishte autoritarizmi me të cilin qytetarët e Serbisë përballen çdo ditë. Solidariteti ynë është me ta. Guximi i tyre për të mbrojtur demokracinë meriton mbështetje, jo armiqësi. Bashkimi Evropian nuk guxon të heshtë”, tha ajo.
Të Gjelbrit i kërkuan Komisionit Evropian dhe presidentes së tij, Ursula von der Leyen, të marrë një qëndrim të qartë dhe t’i tregojë Vuçiqit se nuk është i paprekshëm.
Von der Leyen pa reagim
Megjithatë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deri tani nuk ka reaguar. As në fjalimin e saj për gjendjen e Unionit më 10 shtator nuk iu referua situatës në Serbi.
Për redaktorin e lajmeve në portalin European Western Balkans, Aleksandar Ivkoviq, kjo ishte e pritshme. Sipas tij, shpresat për një reagim të tillë kanë qenë joreale.
Në vend të saj, u shpreh komisionerja për Zgjerim, Marta Kos.
“Ne kemi problem në Beograd”, paralajmëroi ajo pas një takimi me shefen e diplomacisë austriake, Beate Mainl-Reisinger, në Vjenë.
“Kur anëtarët e Parlamentit Evropian quhen plehra, kjo tregon një kuptim të dyshimtë të demokracisë. Deklaratat e presidentit Vuçiq dhe kryeparlamentares Brnabiq kundër BE-së nuk do ta përmirësojnë imazhin e Serbisë në Evropë”, shtoi Kos.
Një ditë më vonë, megjithatë, toni i saj para Parlamentit Evropian ishte dukshëm më i butë. Në fjalimin e saj, ajo rikujtoi detyrimet e Serbisë në procesin e integrimit evropian dhe problemet me lirinë e mediave dhe sundimin e ligjit për të cilat zyrtarët evropianë kanë paralajmëruar prej vitesh.
“Presim që aksionet policore të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore. I dënojmë të gjitha aktet e urrejtjes, vandalizmit dhe dhunës, dhe i bëjmë thirrje të gjitha palëve të ulin tensionet”, tha Kos.
“Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me autoritetet, aktorët politikë dhe shoqërinë civile, duke i inkurajuar që të gjejnë dalje nga bllokada aktuale politike dhe të krijojnë një proces vërtet gjithëpërfshirës në dobi të shoqërisë”, përfundoi ajo.
EPP në lëvizje
Edhe pse Komisioni Evropian mbeti në formulime të buta, sinjal për ndryshim erdhi nga Partitë Popullore Evropiane, thekson për DW Aleksandar Ivkoviq. Kritikat e eurodeputetëve të tyre dhe paralajmërimi për rishqyrtimin e anëtarësimit të SNS janë rezultat i kulmimit të problemeve në marrëdhëniet mes dy partive.
Sipas tij, këto probleme lidhen me vizitat e Vuçiqit në Moskë dhe Pekin, shtypjen e dhunshme të protestave dhe ngecjen e integrimit evropian për të cilën BE ka paralajmëruar prej kohësh.
“Kjo nuk do të thotë se ata do të përjashtohen nga partia, por fakti që iu dërgua ky paralajmërim është tashmë një mesazh shumë i fortë. Kjo nuk u përshtatet aspak SNS-së, sepse për ta, mbrojtja nga EPP, si kundër kritikave të BE-së ashtu edhe si një lloj legjitimiteti i jashtëm, ka qenë shumë e rëndësishme vitet e fundit”, shpjegon Ivkoviq.
A do t’i përgjigjet KE thirrjeve për sanksione?
Ndërkohë që liderët evropianë ende hezitojnë, opozitarët serbë para institucioneve evropiane paraqitën një listë të qartë kërkesash.
“Kërkojmë dënim të qartë të brutalitetit policor, presion mbi regjimin në Serbi, sanksione, ndalim udhëtimi dhe ngrirje pasurie për aktorët kyç të regjimit – Brnabiq, Vuçiq, Maccut, Daçiq, nga policët deri te zyrtarët që kanë ushtruar torturë; të hetohet nëse paratë e taksapaguesve evropianë po përdoren për korrupsionin e regjimit; presion mbi regjimin që të pranojë zgjedhjet si zgjidhje të krizës”, tha kopreseduesja e Frontit të Gjelbër–të Majtë, Biljana Gjorgjeviq, duke folur para eurodeputetëve.
Por sa reale janë këto pritshmëri? Analisti Ivkoviq mendon se jo: masa e vetme reale mund të ishte pezullimi ose shtyrja e pagesave nga i ashtuquajturi Plani i Rritjes.
Sanksione personale ndaj përfaqësuesve të regjimit, thotë ai, nuk janë për t’u pritur, sepse do të sillnin një përplasje frontale mes BE-së dhe pushtetit në Beograd.
“Bashkimi Evropian dëshiron ta shmangë këtë, të paktën derisa të bëhet e qartë se kjo qeveri është në ikje dhe derisa të shihet se ekziston një alternativë e fortë pro-evropiane që mund ta marrë pushtetin nga SNS. Deri atëherë, SNS do të mbetet partneri që, pavarësisht problemeve, i duhet BE-së për ta ruajtur stabilitetin në rajon dhe për ta penguar Serbinë të kthehet plotësisht nga Rusia dhe Kina”, përfundon Ivkoviq./ DW
Burimi: https://p.dw.com/p/50JpB