Serbia është shumë afër që të funksionalizojë shërbimin ushtarak të detyrueshëm.
Për shqiptarët, që janë shumicë në Luginë të Preshevës, një gjë e tillë është e papranueshme.
Përfaqësuesi komunal në Bujanoc, Ragmi Mustafi thotë se ushtria serbe nuk i përfaqëson shqiptarët, pikërisht për shkak të së kaluarës.
“Është komplet e papranueshme çfarëdo nisme për rektrutim te shqiptarët për në ushtrinë serbe e aq më tepër për shërbim të detyrueshëm ushtarak te shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë… Ajo ushtri nuk përfaqëson shqiptarët, ajo ushtri është një ushtri që përfaqëson anën e kundërt të shqiptarëve, përkatësisht vrasësit dhe ata që kanë ushtruar dhunë e kanë abuzuar me të drejtat tona e me jetët tona në Luginë të Preshevës”, u shpreh Ragmi Musrafi, këshilltar komunal Bujanoc.
Lidhur me këtë, dy ditë më parë, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka propozuar themelimin e një Komisioni të posaçëm, që do të hetonte rastet e vdekjeve të ushtarëve shqiptarë që ishin në radhët e Armatës Popullore të Jugosllavisë gjatë viteve të ’80.
Mustafi thotë se kjo nismë do të bënte që Serbia të ballafaqohej me të kaluarën.