Bordi drejtues i Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale” – Shkup i ka dërguar një “urgjencë të menjëhershme” kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, duke paralajmëruar se qyteti është para një “gjendjeje alarmante” lidhur me mirëmbajtjen e higjienës.
Sipas shkresës, ndërmarrja është pothuajse para ndërprerjes së plotë të punës, pasi rezervat e naftës për automjetet e mbledhjes së mbeturinave janë drejt fundit.
“Për njohurinë tuaj, aktualisht janë drejt fundit rezervat e naftës të destinuara për automjetet speciale komunale që përdoren për mbledhjen dhe transportin e mbeturinave. Këto nuk mund të blihen pa nënshkrimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit,” thuhet në urgjencë.
Bordi drejtues thekson se përgjegjësia bie te kryetarja Arsovska, pasi ndërmarrja nuk kishte një ushtrues detyre drejtor që mund të nënshkruajë blerjet e domosdoshme. Pas paralajmërimit, kryetarja në largim caktoi Aleksandar Jovanovski si drejtor të ri të Higjienës Komunale.