Bashkimi Evropian publikoi sot vlerësimet vjetore për vendet kandidate për anëtarësim, përfshirë Shqipërinë, duke analizuar progresin e bërë në procesin e reformave dhe përafrimin me standardet e BE-së.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, dhe komisionerja për zgjerimin, Marta Kos, prezantuan gjetjet kryesore të raportit. Në deklaratën e saj, Kos theksoi se Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina kanë bërë “përparime të rëndësishme në rrugën drejt BE-së”, duke shtuar se “reformat shpërblehen”, përcjell INA.
“Mund të them se këta katër kandidatë i kanë përputhur ambiciet e tyre me veprime konkrete,” – u shpreh komisionerja.
Në raportin për Shqipërinë, Komisioni vlerëson “përparimin e pashembullt” të vendit gjatë vitit të kaluar, duke nënvizuar angazhimin e fortë politik dhe aspiratat e qarta pro-evropiane të shoqërisë shqiptare.
Sipas BE-së, reformat e ndërmarra nga Tirana, veçanërisht në drejtësi dhe administratë publike, e kanë forcuar procesin e integrimit dhe e kanë afruar vendin me hapin e ardhshëm të negociatave për anëtarësim.
Raporti i plotë për Shqipërinë
Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm, me katër grupkapituj të hapur gjatë vitit të kaluar. Përgatitjet për hapjen e grupkapitullit të fundit këtë vit kanë përparuar mirë. Është arritur përparim në grupkapitullin- Vlerat themelore veçanërisht në reformën në drejtësi dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Tani nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të përmbushur benchmark-et në kuadër të Vlerave themelore të cilat do të hapin rrugën për të filluar mbylljen e kapitujve negociues pasi të jenë bërë reformat e nevojshme sektoriale. Arritja e qëllimit të Shqipërisë për të përfunduar negociatat deri në vitin 2027 varet nga ruajtja e momentumit të reformave dhe nxitja e dialogut politik gjithëpërfshirës. Me kusht ruajtjen e ritmit të reformave, Shqipëria është në rrugën e duhur për të përmbushur këtë pikësynim ambicioz. (INA)